Kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari sot te vendi ku është bllokuar rruga për transportimin e mbeturinave takoi përfaqësuesit e nismës qytetare ‘Stop Rusino, ajër të pastër për Gostivarin’.
Taravari thotë se pas takimit me nismën qytetare u ka premtuar se mbështet kërkesat si kryetar komune dhe po ashtu edhe si qytetar, njofton Telegrafi Maqedoni.
“U premtova se nesër do të marr pjesë në protestën e tyre në ora 17:00, pasi që edhe unë jam kundër që kjo deponi të mbetet në Gostivar”, thotë Taravari.
Në fund, kreu i Komunës së Gostivarit thotë se konkluzioni i tyre i përbashkët ka qenë se deponia ‘Rusino’ duhet të zhvendoset sa më parë.
Ndryshe, gjatë ditës së nesërme kundër kësaj deponie do të protestohet para objektit të Komunës së Gostivarit si reagim ndaj deklaratës së ministrit Naser Nuredini se kjo deponi duhet të jetë aty të paktën në 10 vitet e ardhshme./Telegrafi/