Site icon Telegrafi

Taravari: Asnjë cent për Komunën e Gostivarit nga 9.9 milionë eurot e Qeverisë

Kryetari i Komunës së Gostivarit Arben Taravari, ka reaguar ndaj vendimit të qeverisë për të ndarë mjete financiare për projekte infrastrukturore në disa komuna të vendit.

Taravari nëpërmjet postimi në Facebook, thotë se Qeveria vazhdon me diskriminimin e Komunës së Gostivarit. Ai shton se nga 9.9 milionë euro mjete për realizimin e projekteve infrastrukturore nga programi i TAV-Maqedoni, Gostivari nuk mori asnjë cent.

“Qeveria tha se vazhdon të punoj për zhvillim të barabartë rajonal, megjithatë në terren punon ndryshe. Me 9.9 milionë euro do të financohen ndërtimi i rrjeteve të ujësjellësit, kanalizimeve, rikonstruim i rrugëve dhe institucione arsimore. Edhe pse Gostivari konkurroi me disa projekte, asnjëri prej tyre nuk u pranua nga Qeveria. Gostivari është i përfshirë me 30 milion denarë, për spitalin! E vetmja Komunë ku investohet në spital, institucion që nuk është në kompetencë të komunës dhe për të cilin duhet të kujdeset Ministria e Shëndetësisë. Me këtë gjest, pushteti qendror Gostivarin dëshiron ta nxjerrë keq në prag të zgjedhjeve lokale për gjoja se në komunën e vetme urbane e cila udhëhiqet nga opozita shqiptare, mungojnë investimet”.

“Gostivarasit nuk duan asfalt, ujësjellës e kanalizim parazgjedhor, pasi të gjitha nevojat e tyre edhe përskaj pengesave nga Qeveria, janë përmbushur. Suksesshëm e nisëm dhe ashtu e mbyllim mandatin katër vjeçar. Me gostivarasit jemi gati dhe do ta fitojmë edhe një mandat tjetër të suksesshëm”, thotë Taravari./Telegrafi/

Exit mobile version