Zv.kryeministrja dhe ministre e Punëve të Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon, deklaroi sot se ndryshimet kushtetuese janë vendimtare që Maqedonia e Veriut të ecë përpara në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe bëri thirrje që të gjitha partitë politike t’i mbështesin ato.
Ajo theksoi se është përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe është thelbësore që Maqedonia e Veriut të ecë drejt BE-së.
“U bëj thirrje të gjitha partive përgjegjëse në këtë vend që t’i ndërmarrin hapat e nevojshëm, siç është ndryshimi i Kushtetutës, që të mundet ky proces i zgjerimit dhe negociatave paraaderuese të vazhdojë. Është përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe qytetareve dhe është thelbësore që Maqedonia e Veriut të ecë përpara drejt BE-së. Sot zgjerimi është shndërruar në një urgjencë gjeostrategjike dhe prandaj i uroj edhe një herë Maqedonisë së Veriut shumë guxim, shumë vetëbesim, punë solide”, tha Fajon në konferencën e përbashkët për shtyp me zëvendëskryeministrin për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq.
Edhe sipas zëvendëskryeministrit Mariçiq, pranimi i ndryshimeve kushtetuese është hapi i vetëm për të vazhduar integrimin evropian.
“Në raportin e progresit për këtë vit, Komisioni Evropian na dërgoi një mesazh të fortë se duhet të vazhdojmë dhe të intensifikojmë punën në këtë rrugë në të cilën jemi deri tani dhe të forcojmë nivelin e mirë të gatishmërisë. Kemi progres në 80 për qind të kapitujve dhe nuk ka asnjë kthim prapa në asnjë kapitull. Nuk do të thotë se kemi përfunduar gjithçka, por do të thotë se kemi një bazë të mirë për të vazhduar më tej”, tha Mariçiq.