Site icon Telegrafi

Tanin: Raportet Kosovë-Serbi sërish janë të brishta

Shef i UNMIK-ut, Zahir Tanin, ka prezantuar raportin për punën tremujore të këtij misioni në Kosovë, duke thënë se gjendja në terren dhe raportet Kosovë-Serbi janë serish të brishta.

Ai tha se mbledhja e sotme e KS të OKB-së përkon me Rezolutën 1244 për t’i dhënë fund luftës në Kosovës dhe se gjatë këtyre viteve ka pasur progres në Kosovë.

“Mungesa e angazhimit shtesë e palëve mund të kthehet së prapthi, gjë që shpesh edhe ka ndodhur. Angazhime produktive ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk ka pasur që nga vjeshta e viti 2018. Vendosja e taksës 100 për qind nga Prishtina për mallrat serbe dhe atyre nga Bosnja ende vazhdon, pavarësisht thirrjes për heqjen e saj. Beogradi ka qëndrim për heqjen e taksës si kusht për vazhdimin e bisedimeve të mbështetura nga BE-ja. Udhëheqësit e Prishtinës po ashtu kanë pasur kushte”, thuhet në raportin e Tanin.

Ai kërkoi nga udhëheqësit e ‘të gjitha palëve të ushtrojnë përgjegjësinë e tyre, që gjendjen komplekse ta drejtojnë larg nga përshkallëzimi serioz, pa kërcënime dhe ultimatume’.

“Shpresoj se të gjitha palët e angazhuara mund të punojnë bashkërisht se takimi i paraparë në Paris të shfrytëzohet nga palët për t’iu kthyer çështjeve substanciale që ndikojnë në jetën e njerëzve”, thuhet në raport.

Ai ka folur edhe rreth zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri, pas dorëheqjes së kryetarëve të komunave në veri, si dhe rreth aksionit të Policisë së Kosovës në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, ku u arrestuan dy pjesëtarë të UNMIK-ut, një rus dhe një pjesëtar lokal, pasi penguan policinë në kryerjen e detyrave.

Duke folur rreth shpalljes persona non-grata të pjesëtarit të UNMIK-ut, Tanin ka hënë se një gjë e tillë nuk vlen për pjesëtarët e misionit të OKB-së.

Exit mobile version