Jordan Jorgji
Nëse nuk do e kishte ngritur media si problem, askush nuk do të ishte në dijeni për vdekjen e të pastrehës Sofia Qendro në Durrës në mes të katër rrugëve. E moshuara dha shpirt nga e ftohta dhe mosushqyerja kohët e fundit si e pastrehë, ndërsa raste të ngjashme të pastrehësh dhe të varfërish ekzistojnë sot edhe në pjesë të tjera të vendit. Kjo ngjarje e trishtueshme ngre disa probleme.
I pari është reagimi i shtetit, qoftë i pushtetit qendror, qoftë i atij lokal. Kur shteti ndërhyn për të ndrequr një parregullsi ligjore, duhet të jetë më i kujdesshëm për të mos shkaktuar paralelisht ndonjë parregullsi , ose më mirë padrejtësi sociale. Nxjerrja nga shtëpia e një familje të “këputur” ekonomikisht, por edhe në moshë të thyer që me vështirësi mund të sigurojë mjetet bazë të jetesës, për t’ja dorëzuar banesën pronarit të ligjshëm dhe duke e hedhur familjen në mes të rrugës, tregon se praktikisht mungon shteti social, se sjella e pushtetit është e papjekur dhe mizore. Ndonjë përgjigje e tipit “u sollëm konform ligjit”, do të shkaktonte thjesht neveri, pasi së pari, zbatimi i ligjit gjithmonë duhet të jetë në bashkekzistencë harmonike me mirëqenien sociale dhe kohezionin shoqëror dhe së dyti, të gjithë e dimë se në Shqipëri, shumë herë ligji zbatohet për të varfrin dhe për atë që nuk disponon asnjë “mik”.
Një fjalë e urtë që qarkullon në spektrin e majtë politik thotë se “Drejtësia është si gjarpri, helmon gjithmonë këmbëzbathurin”.
Para pak kohe, kryetari i bashkisë së Durrësit, në një intervistë për mediat, tha se ndarja e banesave për të pastrehët nuk mund të niste, pasi më parë duhet të zhvillohej mbledhja e Këshillit Bashkiak, e cila për shkak të balancave të reja politike ishte shtyrë për në mes të muajit Tetor. Por, çfarë faji kishte e ndjera Sofia, apo edhe hallexhinj të tjerë, të presin dhe të vuajnë për shkak të burokracisë dhe tekave politike. Këtu nuk bëhet fjalë për zgjedhjen e ndonjë titullari, pasi LSI kaloi nga PD tek PS, por flitet për njerëz fukarenj dhe hallexhinj, për të cilët një ditë është e barabartë me një mot. Gjithashtu, futja e mikut apo dhënia e ryshfetit për sigurimin e një banese, siç ndodh shpesh herë në vendin tonë, privon familje që vërtet e kanë nevojë atë strehë. Pra, nevojitet që shteti, në të gjitha hallkat e tij, të institucionalizojë, por edhe të zbatojë politika sociale, si dhe të tregojë seriozitet, si në zbatimin e ligjit, ashtu dhe në mbrojtjen e shtresave të dobëta të shoqërisë.
Menjëherë pas vdekjes së Enver Hoxhës, disa media amerikane, si “Washington Post” apo “Free Press Detroit”, i përshkruanin me nota pozitive përpjekjet e sistemit për rritjen e mirëqenies së Shqipërisë, edhe pse e dinin se i referoheshin një sistemi me retorikë të theksuar antiamerikane. Midis të tjerave, gazetat e mësipërme, vlerësonin se në Shqipëri nuk kishte asnjë mungesë strehimi. A nuk duhet të vlerësohet kjo arritje edhe nga qeveritë postkomuniste, që nga e para deri tek ajo e sotmja, për ta mbajtur dhe forcuar atë akoma edhe më shumë paralelisht me zhvillimin ekonomik, dhe të mos hidhen njerëzit në rrugë në këtë mënyrë të egër dhe të pashpirt?
Nga ana tjetër, të bën përshtypje mosinteresimi i institucioneve fetare, nga sa u duk tek pasqyrimi i lajmit. Kur e moshuara kishte me javë të tëra që flinte në rrugë, kur temperaturat ditët e fundit janë ulur ndjeshëm, kur shikon që shteti nuk tregon seriozitet, përse të mungonte një akt praktik solidariteti, i cili mund tja kishte shpëtuar jetën Sofias? Janë të dukshme dhe të prekshme aktet humanitare që kanë bërë institucionet fetare në Shqipëri, por nevojitet që këto institucione të përqendrohen akoma dhe më shumë në misionin e tyre dhe të largohen nga politizimi që kanë pësuar, qoftë i imponuar, qoftë i vetëfinancuar.
Një problem tjetër i prekshëm është dhe “moskokëçarja” e shoqërisë që po vihet re sa vjen e më shumë në Shqipëri. Asnjë protestë, asnjë kërkesë për llogaridhënie nga institucionet përkatëse shtetërore, tregon se shoqëria jonë nuk e ka bërë të vetin solidaritetin si karakteristikë të saj. Jo vetëm kaq, por të bën përshtypje sjellja e fëmijëve, të cilët më shumë se kushdo tjetër mund mësohen nga prindërit e tyre. Shpesh here sheh fëmijë nëpër rrugë që jo vetëm tallen me ndonjë të pastrehë, por edhe e gjuajnë me gurë ose sende të tjera. Nevojitet më shumë punë në institucione si familja, arsimi dhe media, që brezat e rinj të shoqërizohen dhe të pasurohen me më shumë vlera solidariteti dhe ndërgjegjësimi të përbashkët. Sofia u preftë në paqe! Shpresojmë në një ndërgjegjësim më të madh tek të gjithë ne!
(Marrë nga: Shekulli)