Tammy Abraham është duke kaluar momentet më të mira në karrierë në kryeqytetin italian Roma.
Sulmuesi anglez po shënon rregullisht dhe është bërë pikë referimi për skuadrën e Jose Mourinhos.
Forma fantastike që po kalon te Roma ka bërë që Abraham të rikthehet edhe në Kombëtaren e Anglisë, ku vlen të theksohet se është golashënuesi më i mirë anglez në edicionin 2021/22.
Në grumbullimin e Kombëtares së Anglisë, një video e sulmuesit është bërë virale, pasi ai tanimë është emëruar si Tammy Totti’, nga shoku i skuadrës Declan Rice.
“Totti i ri është këtu, Tammy Totti”, thotë mesfushori i West Ham për Tammy Abraham.
Videon nga seanca stërvitore e ka postuar edhe Kombëtarja e Anglisë në rrjetet sociale duke shkruar ‘Tammy Totti’.
24-vjeçari ka shkëlqyer këtë edicion me fanellën e Romës, ku në 30 ndeshje ka shënuar 17 gola dhe ka asistuar në katër të tjerë. /Telegrafi/