Këngëtarja maqedonase Tamara Todevska, përmes rrjeteve sociale ka njoftuar se ka anuluar koncertet e saj në Prilep dhe Ohër, për shkak të reagimeve në opinion pas gabimeve që bëri gjatë intonimit të himnit maqedonas në festën e pavarësisë së SHBA-ve në Shkup.
Tamara thotë se “gabimi i saj gjatë intonimit të himnit ka shkaktuar ferr të vërtetë për të dhe familjen e saj dhe nuk dëshiron të kontribuojë në rritjen e agonisë”, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Duke pasur parasysh se nuk dua të kontribuoj në rritjen e agonisë tonë si familje dhe në interes të qetësimit të gjithë situatës që doli jashtë kontrollit, vendosa të anuloj koncertet në Prilep dhe Ohër. Unë shpresoj se këtë gabim timin, e përsëris gabim, do ta kapërceni dhe do të gjeni mënyrë për të kuptuar se është më se i paqëllimshëm. Do të doja të falënderoj të gjithë ata që ishin pranë meje në këto momente të vështira. Unë nuk kam qenë as nuk do të bëhem pjesë e lojërave politike të dikujt, familja ime është prioriteti im numër një dhe paqja e tyre është vendi i parë në çdo zgjedhje”, shkruan Tamara.
Ajo gjatë intonimit të himnit maqedonas në festën e Ambasadës së SHBA-ve në Shkup, nuk këndoi strofat e himnit maqedonas në të cilat përmendet Goce Dellçev dhe disa heronj tjerë maqedonas.
Ky gabim i Tamarës siç thotë ajo, shkaktoi reagime të shumta në opinionin në vend, ndërsa ka pasur edhe akuza të rënda në drejtim të saj./Telegrafi/