Thirrja e ish-kryeministrit Berisha gjatë seancës së sotme është bërë shkak i një debati të fortë mes mazhorancës dhe opozitës. Nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, e cilësoi shqetësuese një deklaratë të tillë dhe shtoi se duhet mbledhur Byroja Parlamentare në lidhje me të.
“Thirrjet për armatosje janë të dënueshme. Nuk mund të pranojmë se PD-ja, forca e dytë më e madhe politike në vend, bën thirrje për armatosje me armë. Kuvendi duhet të mbledhë byronë, të marrë transkriptin e fjalës së Berishës dhe të mbajë një qëndrim të fortë. Kjo ishte në emër të grupit parlamentar. Mendoj se ka ardhur koha të ngrihet një komision për verifikimin e shëndetit mendor të Sali Berishës. Vetëm një i sëmurë mendor mund të bëjë thirrje për armatosje me armë. Byroja duhet urgjentisht të ndalet në deklaratën e papranueshme për pajisjen e qytetarëve me armë. Nuk mund të ketë zhvillim normal të Parlamentit kur një anëtar i tij bën një deklaratë të tillë”, tha ai.