Site icon Telegrafi

Talibanët heqin ndalesën për Kryqin e Kuq në Afganistan

Talibanët në Afganistan kanë hequr një ndalesë për Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe kanë ofruar garanci për sigurinë e stafit të Kryqit të Kuq, që bëjnë punë humanitare në Afganistan.

“Emirati Islamik ka rikthyer garancionet e sigurisë për Kryqin e Kuq në Afganistan dhe ka këshilluar të gjithë muxhahedinët që të lejojnë aktivitetet e kësaj organizate dhe t’u ofrojnë siguri punëtorëve”, thuhet në një deklaratë të talibanëve.

Në muajin prill, talibanët vendosën një ndalesë për Kryqin e Kuq dhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë, duke thënë se këto dy organizata po kryenin aktivitete “të dyshimta” që lidheshin me fushatën e tyre të vaksinimit.

Megjithatë, në deklaratën e sotme të talibanëve, nuk përmendet heqja e ndalesës për Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka zhvilluar një fushatë për vaksinimin kundër polioz në Afganistan, shtet ku kjo sëmundje është shndërruar në epidemi.

Talibanët kontrollojnë mbi gjysmën e 410 qarqeve të Afganistanit. /REL/

Exit mobile version