Telegrafi

“Talia e Flakës”, me gjashtë shfaqje nga të gjitha trojet shqiptare

Festivali i Dramës Shqipe, “Talia e Flakës”, edhe këtë vit sjell në Gjilan shfaqjet më të mira me tekste të autorëve shqiptarë.

Bashkim Nexhipi, koordinator i “Flakës së Janarit 2018”, ka thënë se në natën e parë, më 22 janar, Teatri i Gjilanit jep shfaqjen “Një natë në hotel” me tekst të Muharrem Shahiqit, dramatizim të Agush Mulliqit e regji të Bashkim Ramadanit.

Në mbrëmjen e dytë do të jepet shfaqja “Kosovatrans” e Teatrit “Agush Ramadani” të Podujevës, me tekst e regji të Naser Shatrollit.

Teatri Shqiptar i Shkupit, në mbrëmjen e tretë të festivalit do të jap shfaqjen “G” të Gjergj Fisht[s me dramatizim dhe regji të Sulejman Rushitit.

Regjisori Milto Kutali, i cili më herët kishte realizuar shfaqje edhe në Gjilan, kësaj radhe do të sjell shfaqjen nga Shqipëria “Rrno për me tregue”, të cilën e pati shkruar At Zef Pllumi.

Teatri nga Prishtina “Dodona” do të paraqitet me shfaqjen “Portreti i pakryer”, i autorit Besim Rexhaj e regji të Elmaze Nurës.

Festivalin do ta përmbyll shfaqja “Në dorë të fatit…” e Teatrit “Petro Marko” nga Vlora, tekstin e së cilës e ka bërë Ledian Gjeçi, kurse regjia Arben Kumbaro.

Të gjitha shfaqjet do të nisin me fillim në ora 19:00.