Telegrafi

Taleski i iku “urimit” për falje nga hyrja e pasme e teatrit

Me transparentë “Poshtë maskat“ dhe „Urime faljen“, një pjesë e demonstruesve nga lëvizja qytetare “Protestoj”,  mbrëmë kanë pritur ardhjen e kryetarit Vladimir Taleski, para Teatrit kombëtar në Manastir. I kishin përgatitur urim për faljen, por ai nuk është shfaqur në hyrjen kryesore, ndërsa në sallë ka hyrë përmes hyrjeve ndihmëse, transmeton Telegrafi Maqedoni.

 Pjesa tjetër e demonstruesve, nga qendra Magnolia, u nis kah ndërtesa e komunës, ku sërish kërkuan dorëheqjen e Taleskit dhe tërheqjen e faljes nga presidenti Ivanov.

-Kërkojmë dorëheqje, tërheqje të faljes dhe lirim të demonstruesve të arrestuar, sepse kriminel tjerë duhet të jenë në burg. Demonstruesit janë të pafajshëm, njëjtë sikur ne të tjerët që jemi të prekur nga gjendja në shtet, ka deklaruar Olivera Veljanovska nga „Protestoj“.

Në anën tjetër të “Sokakut të gjerë” të Manastirit, para shtëpisë së oficerëve, protestë mbajti LQMM.

-Ne jemi për zgjedhje në 5 qershor dhe jemi të bindur se do të fitojmë. U japim përkrahje institucioneve dhe jemi kundër protestave të dhunshme. Le të protestojnë qetë ashtu siç protestojmë ne, të dëshmojmë se jemi popull i ndershëm maqedonas, ka deklaruar Gjorgji Tasevski nga LQMM./Telegrafi/