Kryetari i komunës së Manastirit, Vladimir Taleski, sot për herë të parë pas daljes nga arresti shtëpiak tremujor është paraqitur në një ngjarje publike. Në rrugën “Shiroka” në Bairin e Manastirit, Taleski ka marrë pjesë në një projekt infrastrukturor dhe është përshëndetur me një pjesë të gazetarëve, ndërsa të tjerët i ka anashkaluar, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Sipas “Meta” ai ka pranuar se nga shtëpia ka udhëhequr me komunën dhe se nuk ka pasur asnjë ndalesë në realizimin e projekteve, por përkundrazi ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me firmat që i realizojnë projektet.
“Shumë njerëz këtu bënin polemika, madje edhe i sfiduan ata nga PSP të vijnë edhe njëherë dhe të kontrollojnë se çfarë punojmë, edhe pse edhe ata e kishin të njëjtin vendim. Domethënë, ju pohoj se në muajt e kaluar absolutisht nuk ka pasur asnjëfarë ndalese në pjesën e projekteve dhe të realizimit të programit të votuar nga Këshilli i komunës. E tërë administrata, 24 orë ka qenë në kontakt me mua, unë kam komunikuar me ta. Nënkuptohet, kam komunikuar edhe me një pjesë të realizuesve”, ka deklaruar Taleski.
Ai po ashtu ka paralajmëruar se do të vazhdojë me të gjithë projektet të cilat i ka paraparë për realizim./Telegrafi/