Telegrafi

Puhiza Sadiki, pianistja e re nga Gjilani merr vendin e dytë në “Victoria Music Center” në Barcelonë

Puhiza Sadiki ka bërë Kosovën krenare duke u renditur e dyta në një garë ndërkombëtare të pianos. Puhiza shkëlqeu në eventin prestigjioz “Victoria Music Center”, që u mbajt në Barcelonë të Spanjës.

Kjo qendër muzikore tërhoqi talente nga e gjithë bota, ku Puhiza, përfaqësuese e Kosovës, arriti të kapë vendin e argjendtë në garën për pianistë. Ky sukses i shtohet serisë së triumfeve të Sadikit në skenën ndërkombëtare, duke demonstruar përsëri aftësitë e saj të jashtëzakonshme.

Gjatë karrierës së saj, Puhiza ka grumbulluar një sërë çmimesh në garat e pianos në të gjithë globin dhe këtë herë nuk bëri përjashtim, duke bërë sërish emër me talentin e saj.

Foto: Puhiza Sadiki/Instagram

Ajo vazhdon të zhvillohet muzikalisht nën kujdesin e mësuesit të saj, Visar Osmani, i cili ka arritur suksesin e tij professional. Dedikimi dhe mësimdhënia e mësues Osmani janë bërë shtylla e rritjes së Puhizës si pianiste.

Nëna e saj ndau lajmin e gëzueshëm në rrjetet sociale, duke shprehur mirënjohje të thellë ndaj mësuesit Visar Osmani për përkushtimin dhe punën e tij të mrekullueshme: “Puhiza Sadiki në garën Victoria Music Center Barcelona-Spanjë mori vendin e dytë! Falënderim i veçantë për prof.. Visar Osmani për punën e tij të mrekullueshme, shkroi ajo.

Ky rezultat është jo vetëm një meritë personale për Puhizën, por edhe një dëshmi e qartë se të rinjtë e talentuar të Kosovës janë duke ndërtuar një rrugë të suksesshme në arenat ndërkombëtare të muzikës klasike. /Telegrafi/