Telegrafi

Talenti i Tiranës drejt La Ligas

Tirana i ka kthyer radarët nga merkatoja në dalje për të shëndoshur financat në prag të një sezoni të vështirë dhe disi anormal.

Klubi bardheblu po korr frytet e një pune të suksesshme me akademinë dhe kjo duket në interesimin që kanë shfaqur skuadra të ndryshme europiane për lojtarët e ekipit kryeqytetas. I fundit në listë është talenti Elvi Berisha, për të cilin ka shfaqur interes klubi spanjoll i Leganes.

Pas provës së kryer në klunin iberik, 18-vjeçari i rritur në akademinë bardheblu, është pranë firmës pasi ka arritur të bindë drejtuesit teknikë të skuadrës spanjolle. Sipas informacioneve, klubi nga rrethinat e Madridit ka kontaktuar edhe ish zv/trajnerin e Kombëtares, Paolo Tramezzani për të marrë informacione rreth 18-vjeçarit, duke vendosur transferimin e tij në kryeqytetin e Spanjës.

Për këtë operacion, Tirana pritet të arkëtojë rreth 270 mijë Euro pasi do të llogaritet mosha e rritjes dhe në bazë të llogarive, lojtari është aktivizuar për 3 sezone në ekipet zinxhir të Tiranës.

Berisha është grumbulluar në ekipin e parë të Tiranës gjatë sezonit të shkuar ndërsa ai është pjesë e KOmbëtares së 19-vjeçarëve të drejtuar nga Erjon Bogdani.