Site icon Telegrafi

Talenti shqiptar i Interit: Nga ikonat e klubit e admiroj Zanettin, te Kombëtarja zgjedh Canën

Fitorja e Superkupës së Italisë është thjesht kurorëzimi i sakrificës, punës, përkushtimit dhe pasionit. Është ndoshta shfaqja e bukur për t’u parë nga të gjithë. Por, në fakt, ajo që ndodh jashtë dritave të skenës së madhe që, në këtë rast është fusha e lojës, nuk është kaq e bukur.

E tillë ka qenë edhe për Armand Radën, shqiptari 19-vjeçar që aktualisht është pjesë e skuadrës së Interit. Më parë Nerrazzurrët e larguan, por pas shtatë vitesh kuptuan gabimin që kishin bërë dhe e rikthyen. Në një intervistë për Panorama Sport, lojtari i Kombëtares shqiptare U-19 ka treguar për sakrificat, ëndrrat, objektivat dhe të admiruarit e tij.

(Foto: Instagram/Armandinho.1)

Karriera e talentit shqiptar nisi si gjashtëvjeçar te skuadra Olginatese (liga e katërt italiane), ndërsa si dhjetëvjeçar kaloi te të rinjtë e Interit ku qëndroi për tre vite. Për çështje teknike, për të fituar përvojë, zikaltrit e larguan.

Mirëpo, ai nuk hoqi dorë nga ëndrra për të luajtur me Interin dhe shtatë vite pas largimit, u kthye te Akademia e Nerazzurrëve.

Lexo po ashtu Shqiptari Armand Rada fiton Superkupën e Italisë me të rinjtë e Interit

“Të fitosh diçka është emocionuese, por kur e bën në San Siro është magjike. Përpara disa kohësh këtë stadium e shihja në televizor dhe të luaja aty ishte ëndrra ime. Nuk kam fjalë për ta përshkruar atë emocion që përjetova. Kur dëgjova fërshëllimën e arbitrit isha shumë i lumtur, sepse ky ishte trofeu i dytë me Interin. Shpresoj të vijnë të tjerë në të ardhmen. U emocionova shumë, sepse në stadium ishte edhe familja ime”, ka thënë Rada në lidhje me triumfin në Superkupën e Italisë për të rinjtë.

(Foto: Instagram/Armandinho.1)

Armandi thotë se ëndrra e tij është që të angazhohet te ekipi i parë i Interit. “Por, për momentin, dua thjesht të bëj mirë me skuadrën që jam aktualisht dhe të punoj dita ditës. E di që rruga është shumë e gjatë dhe as dua të mendoj në këto momente”, është shprehur ai.

Javier Zanetti është lojtari i tij i admiruar. “Jo vetëm unë, por shumë shokë të skuadrës kanë atë. Ai është njeri i mrekullueshëm dhe ka qenë lojtar fantastik. Nuk kam parë kurrë një person të tillë… E takoj sepse ai i qëndron shumë pranë ekipit të parë të Interit, por edhe të rinjve. E kam takuar disa herë”, ka theksuar 19-vjeçari.

(Foto: Instagram/Armandinho.1)

Te Kombëtarja shqiptare, i zgjedhuri i tij është Lorik Cana. “Atë e kam parë më shumë, sepse ka luajtur në Itali. Më pëlqente personaliteti dhe dashuria që transmetonte për fanellën, e cila është shumë e rëndësishme. E kam takuar atë në Shqipëri kur bëmë një grumbullim”, ka deklaruar mesfushori i ri. /PS/Telegrafi/

Exit mobile version