“Pas vizitës që kisha në Gjermani, pata një takim me drejtuesit e Dortmundit, të cilët shprehën dëshirë për të bashkëpunuar dhe për të ndihmuar FC Prishtinën. Me këtë rast ata na kanë mundësuar t’i dërgojmë tre talentë tanë që të luajnë në fanellën e skuadrës së tyre për dy turne ndërkombëtare”, tha kryetari i FC Prishtinës, Remzi Ejupi, në konferencën për shtyp që u organizua dje në lokalet e klubit. Numri një i Prishtinës, nuk ka konfirmuar emrat se cilët lojtarë do të jenë të përzgjedhurit e klubit për të shkuar atje, mirëpo ai ka thënë se ata nuk do t’i anashkalojnë anëtarët e kombëtares.
“Do të jetë shtabi teknik që vendos për emrat, por sigurisht që nuk do t’i anashkalojmë talentet tanë që janë pjesë e përfaqësueses së Shqipërisë. Këta lojtarë që do të shkojnë atje, do të kenë një rast të mirë për të dëshmuar veten. Unë personalisht do të doja që të gjithë lojtarët e Prishtinës të shkojnë jashtë, kështu që edhe këta tre shpresoj të arrijnë ndonjë marrëveshje dhe të arrijnë diçka në karrierë të tyre. Është mëkat që këta talentë të mos kenë mundësi t’i dëshmojnë cilësitë e tyre edhe jashtë”, tha Ejupi.
Ai më pas ka folur edhe për takimin që kishte me zyrtarët e klubit më të trofeshëm në Kroaci, Dinamon e Zagrebit skuadër kjo që gjithashtu ka ofruar bashkëpunim me klubin e FC Prishtinës.
“Edhe skuadra e Dinamos së Zagrebit është e gatshme të na ofrojë ndihmë aty ku kemi nevojë. Kemi zhvilluar një takim me zyrtarët e klubit dhe ata shumë shpejt pritet ta vizitojnë Prishtinën. Në ditët në vazhdim ne jemi duke e shqyrtuar mundësinë që të marrim pjesë me një skuadër në një turne në Zagreb, ndërsa në një të ardhme të afërt të zhvillojmë një ndeshje miqësore me këtë skuadër në Prishtinë”, tha numri një i skuadrës së Prishtinë, Remiz Ejupi. /Telegrafi/