Pandemia mbase na ka ndryshuar jetën, mirëpo na ka treguar që ekziston një mori aktivitetesh argëtuese për t’u shijuar, madje edhe kur jemi në karantinën e padëshiruar
Nëse jemi të detyruar të qëndrojmë në shtëpi, kjo nuk do të thotë që na ka kthyer shpinën fati!
Gjatë kohës kur nxënësit janë të detyruar të ndjekin brenda shtëpisë mësimet online ose duke lexuar libra, por edhe kur janë duke u marrë me obligime tjera – muzika është shpëtimi dhe ilaçi që të mos e humbim shpresën dhe të jemi optimistë që e gjithë kjo që na ka ndodhur të përfundojë mirë.
‘Instituti i Kosovës për Politika Zhvillimore’ dhe artistë të rinj në universin e izolimit, nuk rrinë të qetë, por i shoqëron krijimtaria e pashtershme dhe këto ditë po dëgjojmë vazhdimisht këngë të reja, hite të ardhshme, si edhe ekranizime të këngëve të cilat i kemi dëgjuar më herët.
Para nesh është listë e nxënësve këngëtarë, të talentuar, të cilët nën organizimin e Institutit që po bën garën ‘online’ të këndimit, brenda një kohe të shkurtër i ofruan publikut rezultate të mrekullueshme të interpretimeve të tyre, duke zbukuruar këtë realitetin të pakëndshëm.
Atë që na ofruan të tjerët, këtë e bëri krijuesja Besa Morina, e cila si duket u injektoi adrenalinën dhe nxiti kreativitetin artistik e emocional këtyre të rinjve të talentuar, transmeton Telegrafi.
“Ideja themelore është që fëmijët e dashuruar në këngën dhe këndimin të kenë rastin që t’i tregojnë talentet dhe aftësitë e veta, që me muzikë të shoqërohen, por edhe të ndiejnë frymën garuese”, thotë ajo.
Organizatorët janë të ngazëllyer me numrin e madh të të paraqiturve, sepse, para së gjithash, kjo tregon që megjithatë ekzistojnë shumë të rinj të cilëve gjithsesi u intereson muzika dhe që programi i tyre njihet në mesin e talenteve të cilëve u është dedikuar.
Synimet janë që përveç garës ‘online’ që po zhvillohet tash e një muaj gjysmë, Instituti do të organizojë edhe garën e drejtpërdrejtë, kur të krijohen rrethanat. Pra, kjo garë online si cak ka një audicion dhe garuesit të renditen me vota nga votuesit drejtpërdrejtë, pastaj do të organizohet një garë ‘live’.
“Pikërisht ky është motivimi ynë më i madh dhe na tregon që bashkë me Institutin tonë jemi në rrugën e duhur, ndërsa në këtë mënyrë sigurojmë qëndrueshmëri afatgjatë në kuptimin e numrit të talentëve të rinj”, e përmbyll Besa bisedën tonë. /Telegrafi/