Telegrafi

Talebanët urdhërojnë prezantueset televizive afgane t’i mbulojnë fytyrat

Talebanët, kanë urdhëruar prezantueset e televizioneve afgane që t’i mbulojnë fytyrat e tyre gjatë kohës së prezantimit.

Dekreti u është dorëzuar shtëpive të mediave të mërkurën, deklaroi për BBC-në një zyrtar fetar i policisë, transmeton Telegrafi.

Urdhri erdhi vetëm dy javë pas urdhrit tjetër ku të gjitha gratë u detyruan që të mbulojnë fytyrat kur dalin në publik, ose do të përballen me dënime.

Kufizimet për gratë sa vijnë e shtohen – ato e kanë të ndaluar udhëtimin pa ndonjë shoqërues familjar të gjinisë mashkullore dhe shkollat e mesme kanë mbyllur dyert për vajzat.

Dekreti i ri po kritikohet me të madhe në Twitter, ku shumë përdorues po e quajnë atë edhe një hap tjetër të talebanëve në promovimin e ekstremizmit.

“Në vendet tjera maskat shpërndahen për t’i mbrojtur njerëzit nga Covid-1, ndërsa talebanët po i shpërndajnë ato për t’i ndaluar njerëzit t’i shohin fytyrat e gazetarëve. Talebanët po i cilësojnë gratë sikur të ishin sëmundje”, thuhet në shkrimin e një aktivisti të drejtave të njeriut në Twitter. /Telegrafi/