Telegrafi

Talebanët kanë filluar të hyjnë edhe në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul

Talebanët kanë filluar të hyjnë në Kabul, kanë thënë ministria e brendshme e Afganistanit dhe grupi i armatosur.

Sipas Al Jazeera, përcjell Telegrafi, zhvillimi të dielën erdhi vetëm disa orë pasi grupi mori kontrollin e qytetit kryesor lindor të Jalalabad, duke siguruar rrugët kritike që lidhin vendin me Pakistanin.

Një udhëheqës taleban në Doha, i cili ka qenë vendi i negociatave paqësore shumëvjeçare midis qeverisë afgane dhe grupit, tha se luftëtarët të dielën u urdhëruan të përmbahen nga dhuna dhe të ofrojnë kalim të sigurt për ata që duan të largohen nga Kabuli.

Ndërkohë është e paqartë nëse qeveria e presidentit Ashraf Ghani do të rezistojë ndaj këtyre zhvillimeve apo do të ofrojë një kapitullim.

Siç vë në pah Al Jazeera, talebanët kanë lëshuar një deklaratë në internet duke thënë se kanë udhëzuar forcat e tyre që të mos kalojnë portat e Kabulit dhe të marrin qytetin me forcë.

Në vend të kësaj, ata thonë, “negociatat janë duke u zhvilluar për të siguruar që procesi i tranzicionit të përfundojë në mënyrë të sigurt, pa kompromentuar jetën, pronën dhe nderin e askujt”.

Një lajm i tillë është raportuar edhe nga Reuters, sipas të cilit medium – duke cituar një zyrtar të lartë – talebanët po vinin “nga të gjitha anët”, por nuk dha detaje të tjera.

Një cicërimë në Twitter nga llogaria e pallatit presidencial afgan tha se të shtënat ishin dëgjuar në një numër pikash rreth Kabulit, por se forcat e sigurisë, në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, kishin kontrollin e qytetit.

Në anën tjetër zyrtarët amerikanë thanë se diplomatët po transportoheshin në aeroport nga ambasada në rrethin e fortifikuar Wazir Akbar Khan.

Më shumë trupa amerikane po dërgoheshin për të ndihmuar në evakuimet pasi përparimet rrufe të talebanëve e sollën grupin islamik në Kabul brenda pak ditësh. /Telegrafi/