Telegrafi

Talat Xhaferi i reagon Kasamit: Ai nuk është deputet, nuk mund të merr pjesë në konferencat në Kuvend

Kryetari i Kuvendi të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ka reaguar ndaj kryetarit të qytetit të Tetovës dhe kryetarit të Lëvizjes Besa, Bilal Kasami, i cili sot ishte i pranishëm në konferencën për media të opozitës shqiptare, ku zyrtarizuan bashkëpunimin edhe në Kuvend.

Xhaferi në reagimin e tij thotë se Kasami e keqpërdori Kuvendin me atë që i shkeli procedurat e vendosura parlamentare për mbajtjen e konferencave për shtyp në ndërtesën e dhomës ligjvënëse, për promovim personal politik.

“Gjegjësisht, në Kuvend është parashikuar procedurë e veçantë për mënyrën e mbajtjes së konferencave për shtyp për atë se ku dhe kush mund të shfrytëzojë këtë të drejtë. Në përputhje me këtë, Pres-qendra në dhomën ligjvënëse është e dedikuar vetëm dhe vetëm për deputetët e mandatit aktual, kështu që, është e paqartë se sot Kasami në çfarë cilësie ishte i pranishëm dhe u drejtua në konferencën e paparalajmëruar për shtyp në Kuvend. Si ish deputet, Kasami duhet të jetë i informuar për procedurat e dhomës ligjvënëse dhe të dijë se Kuvendi nuk është vendi ku ai mund të drejtohet qoftë si kryetar komune ose si kryetar partie”.

Lexo po ashtu Opozita shqiptare bashkohet edhe në Kuvend: Shqiptarët në Maqedoni duan ndryshim

“Përveç kësaj, në shkeljen e rregullave dhe normave parlamentare, Kasamit ju bashkëngjitën dhe e mbështetën edhe disa deputetë tjerë të cilët në kundërshtim me rregullat e vendosura, i mundësuan të drejtohet nga pres-qendra e Kuvendit, nga vendi i paraparë vetëm për deklarata të të zgjedhurve të popullit”, thuhet në reagimin e Talat Xhaferi.

Ndryshe, sot Lëvizja Besa, Alternativa dhe Lëvizja Demokratike e njoftuan kryetarin e Kuvendit se deputetët e tyre do të veprojnë si grup parlamentar i përbashkët./Telegrafi/