Sllovenia ratifikoi protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO. Kreu i Partisë Demokratike Sllovene në pushtet, Janez Jansha është shprehur optimist në procesin e ratifikimit të protokollit në të gjitha parlamentet e vendeve anëtare të Aleancës veri-atlantike.
Kryeparlamentari, Talat Xhaferi i cili ishte prezent në procesin e ratifikimit të protokollit, shpreson se deri në fund të vitit, protokolli do të ratifikohet nga të gjitha vendet anëtare të NATO-s.
“Shpresojmë që deri në fund të vitit, protokolli për anëtarësim në NATO i cili javën e kaluar u nënshkrua në Bruksel nga ambasadorët e 29 vendeve anëtare, do të ratifikohet në të gjithë 29 parlamentet dhe pas kësaj neve të bëhemi vendi i 30 i NATO-s me të gjitha drejtat dhe obligimet që i ka çdo vend anëtar i NATO-s”, theksoi Talat Xhaferi.
Pas dritës jeshile në komisione parlamentare, të enjten pritet që protokollin për anëtarësim ta ratifikojë edhe Shqipëria. Deri në fund të muajit pritet që i njëjti të ratifikohet edhe në Parlamentin bullgar dhe në Sllovaki.
Pas përfundimit të procedurave ratifikuese në të gjitha parlamentet, NATO njofton Organizatën e Kombeve të Bashkuara për tejkalimin e kontestit mes Greqisë dhe Maqedonisë, ndërsa në samitin e radhës Maqedonia bëhet edhe zyrtarisht anëtare e 30 e Aleancës Veri-atlantike.