Organizata terroriste Shteti Islamik ka filluar të aplikojë taktika shokuese për vënien e bombave, të cilat thuhet se janë duke i fshehur nën kopjet e Kuranit, shkruan Daily Mail.
Zyrtarët ushtarakë amerikanë kanë konfirmuar këtë strategji të sëmurë të kurtheve, ku nuk kursehet as libri i shenjtë Kurani, që jo rrallë herë përdoret për fshehjen e bombave në Ramadai të Irakut, transmeton Telegrafi.
Banorët të cilët vendosin të marrin njërin nga këta libra, që i fshehin nëpër shkurre apo në barin e gjatë afër rrugëve, rrezikohen të hidhen në erë.
Kjo taktikë është zbuluar nga forcat e rendit, në momentin që kuptuan se xhihadistët po i fusin bombat si kurth edhe nëpër frigoriferë.
Gjatë një konference për mediat në Ministrinë e Jashtme në Londër, koloneli amerikan Steve Warren, i ka shpjeguar në detaje taktikat e sëmura që fanatikët e ISIS-it janë duke i përdorur.
Përdorimi i librit të shenjtë për vrasjen e qytetarëve të pafajshëm cilësohet si akt i papranueshëm, duke marrë parasysh se ISIS tenton të zbaton ligjin e Sheriatit. /Telegrafi/