Dhjetëra kompani dhe qindra persona fizik që ofrojnë shërbime të taksive në Kosovë, askush prej tyre nuk lëshon kuponë fiskal. ATK-ja paralajmëron ndëshkime, e buxheti i vendin vazhdon të dëmtohet.
Grupi më i madh i bizneseve në Kosovë, pas naftëtarëve, që konsiderohet të jenë taksitë, nuk lëshojnë kuponë fiskal. Përderisa ATK-ja mundohet të shmanget në përgjigjen se çfarë kanë bërë deri më tani, thonë se do të ndëshkojnë secilin nga ata që nuk është fiskalizuar, raporton lajmi.net
E kompanitë për fiskalizimin e kompanive tregojnë se janë të gatshëm t’i fiskalizojnë këto biznese, madje me arka fiskale mobile.
Taksitë në Kosovë, siç raporton lajmi.net, lëshojnë kuponë por nuk janë fiskal, e për këtë ende nuk po merrem masa. Madje, këto biznese kanë edhe kërkesa të veçanta.
Zëdhënësi i kompanive të fiskalizimit në Kosovë, Kestrin Kumnova thotë për lajmi.net se në bazë të informatave që kanë, asnjë kompani e taksive nuk ka arka fiskale. “Ne posedojmë arka fiskale mobile që janë shumë të përshtatshme për këto kompani vetëm se ato duhet të shprehin gatishmëri të pajisen me to. Ne jemi të gatshëm t’i furnizojmë me arka fiskale sepse jemi operatorë të licencuar”, thotë ai.
Tregon se cila qenë kërkesa e këtyre kompanive. “Ata kanë kërkuar një lloj të veçantë të arkës fiskale i cili merr shumë kohë për tu siguruar dhe certifikuar, ne kemi arka fiskale që ata mund t’i përdorur, përdoren p.sh. në Trafikun Urban dhe shumë biznese të ngjashme, ata vetëm duhet të aplikojnë dhe do i pajisim. Ata mund të lëshojnë kuponë por që nuk janë fiskal”, thotë Kumnova.
Përderisa Administrata Tatimore e Kosovës është zotuar se në kohë shumë të shpejt do të fiskalizojë gjitha bizneset aktive, ky grup biznesi vazhdon operimin pa arka fiskale.
Drejtori i ATK-së, Sakip Imeri thotë për lajmi.net se do ndëshkohen të gjithë ata që nuk pajisen me arka fiskale.
Madje pranon se kompanitë e taksive nuk janë të fiskalizuara. “Të procesi i fiskalizimit është proces që ka aktivitete jo në mënyrë të veçantë veç për taksitë por për të gjithë ata që janë të obliguar të pajisen me arka fiskale. Nuk janë të gjitha bizneset të pafiskalizuar kjo është një realitet, por ka të pafiskalizuar edhe në procesin e taksive, ne jemi në aktivitete dhe kontakte dhe sugjerimi në të kundërtën do të përballen me ndëshkime që parasheh ligji”, thotë ai.
Mosfiskalizimi i kompanive të taksive dhe 19 mijë bizneseve tjera është kritikuar disa herë nga ekspertët e ekonomisë duke e vlerësuar këtë si shkaktar të shkallës së lartë të informalitetit.
Shumë ekspertë të kontaktuar nga lajmi.net nuk kanë mundur të flasin se sa dëmton buxhetin e shtetit mosfiskalizimi i taksive, por vlerësojnë se ATK duhet të punojë më shumë dhe të shtohen kontrollet.
Ndryshe, ATK deklaron se deri më tani janë fiskalizuar 24 mijë e 557 tatimpagues të fiskalizuar dhe 31 mijë e 545 pajisje elektronike fiskale.
Ndërsa, ATK thotë për lajmi.net se te konfiskimi i printerëve jo-fiskal janë 2 mijë e 681 numri i aktiviteteve, 143 printer jo fiskal të konfiskuar dhe 783 gjoba, në vlerë 133,250.00 euro. /Lajmi.net/Telegrafi/