Site icon Telegrafi

Taksitë ilegale vazhdojnë të operojnë në kryeqytet

Komuna e Prishtinës vazhdon të ketë telashe të mëdha me taksistët ilegalë që operojnë nëpër rrugët e kryeqytetit.

Ndërkohë, kur këta të fundit  vazhdojnë të justifikohen me numrin e vogël të inspektorëve, një numër i madh i tyre vazhdojnë të qarkullojnë lirshëm në qytet. Ndërsa, vetëm 400 prej tyre gjatë këtij viti u janë shqiptuar gjoba.

Qytetarët për këtë gjendje fajësojnë inspektoriatin e Komunës së Prishtinës.

Tollovia në trafik dhe numri i madh i veturave po shkakton kokëçarje për këmbësorët e në veçanti për personat me aftësi të kufizuara.

Infrastruktura jo e duhur po e pamundëson lëvizjen e tyre të lirë, ku jeta e kësaj kategorie po vazhdon të bëhet edhe më e vështirë.

Për Naim Hajdarin, nga Prishtina, hall i madh është edhe si të lëviz në trotuare.

Sipas tij edhe hapësira e cila është e dedikuar për  këmëbësorë po zihet pikërisht nga taksistë  ilegalë.

“Taksistët ilegalë shumë e bllokojnë rrugën, për shkak të transportit publik, që është këtu shumë e konfrontume, por edhe si person me aftësi të kufizuara nuk kam qasje në trotuar prej tyre. Nuk kam kah shkoj. E kam të thyer  këmbën,  ma ka shkel kerri midis rrugës. E, me pas trafik urban qysh duhet, nuk ka me pas edhe taksistë ilegalë”, tregon Hajdari për KosovaPress.

Fajtor për këtë gjendje, ai bën Inspektoriatin, pasi që sipas tij ata nuk janë duke kryer punën e tyre siç duhet.

“Fare nuk janë duke e kryer punën mirë. Janë por nuk dalin kurrë. Kurrë nuk kom pa që e kanë ndal dikon inspektoriati”, shtoi ai.

Ky nuk është qytetari i vetëm, i cili ankohet për taksitë ilegale. Për Muhamet Rracin, prania e tyre, po e bllokon tërësisht qarkullimin në qytet.

Mirëpo, sipas tij ata janë të detyruar të dalin të punojnë.

“Sikur të ishte çdo gjë në rregull, të ishte punësimi në nivelin e duhur të qytetarëve, atëherë  me të vërtetë do të ishte shumë e drejtë, mos me pengu, se po e pengojnë, po e bllokojnë. Mirëpo, një pjesë e madhe e qytetarëve, janë me të ardhura të vogla, janë me skame, janë të detyruem me dal edhe me punu”, thotë Rraci.

Vetëm gjatë vitit të kaluar, Inspektoriati i komunës së Prishtinës ka inicuar rreth një mijë lëndë drejt gjykatës. Mirëpo, hiç më mirë nuk ka qenë gjendja as gjatë këtij viti.

Udhëheqës i sektorit të rendit komunal në Drejtorinë e Inspeksionit në komunën e  Prishtinës, Alban Ymeri, ka treguar për Kosova Press se gjatë këtij viti janë shqiptuar 400 gjoba për taksitë ilegal.

“Gjatë këtij viti dikun rreth 400 automjeteve veç u janë  shqiptuar gjoba, do të thotë, edhe me i inicu lëndët në gjykatë, të cilët kanë qenë duke ushtruar këtë veprimtari ilagale.  Kemi rast kur të njëjtit vazhdojnë edhe pas inicimit të lëndës, kemi raste edhe kur i kemi konfiskuar automjetin për herën e parë, ndërsa të njëjtit kanë vazhduar herën e dytë. Mirëpo, me ligj parashihet që për recidivistë do të thotë ata që e përsërisin veprën, kohëzgjatja e konfisikimit shkon deri në pesë ditë”, thotë  Ymeri.

E gjoba për taksistët ilegalë është 800 euro. Siç tha Ymeri kërkesat janë shumë të mëdha për leje për taksi. Por, sipas tij komuna e Prishtinës e ka të pamundur që të legalizojë të gjithë.

“Komuna e Prishtinës, e ka numrin e caktuar të lejeve të punës, të cilat lëshohen. Aktualisht janë 700 leje legale që janë lëshu. Kërkesa është shumë e madhe. Kemi shumë taksistë ilegalë të cilët vijnë nga komunat tjera, përfshirë Fushë Kosovën, Podujevën, Lipjanin, Vushtrrnë, Mitrovicën. Dhe është e pamundur që të gjithë këtyre, tu plotësojmë kërkesat për taksi me leje”, tha Ymeri.

Vështirësi në vete sipas tij është  numri i vogël i inspektorëve, ku në total, siç tha ai, janë 25. Megjithatë, ai e pranon se për shkak të taksive ilegale Prishtina është duke u ngulfatur, e madje çdo ditë ka problem në qarkullim. /kp/Telegrafi/

Exit mobile version