Site icon Telegrafi

Taksitë ilegalë shfrytëzojnë mungesën e autobusëve, ua marrin nga 5 euro udhëtarëve në relacionin Prishtinë – Gjilan

Autobusët ndër urbanë që nga dita e mërkurë kanë ndaluar qarkullimin, shkak për këtë është bërë mos subvencionimi nga Qeveria për shkak të humbjeve që kanë pësuar gjatë pandemisë.

E për këtë, qytetarët gjatë këtyre ditëve janë detyruar të udhëtojnë me taksi ilegalë, por këta të fundit kanë shfrytëzuar situatën e krijuar me autobusët, duke shtrenjtuar çmimet e tyre.

A.SH, një qytetare që ka udhëtuar nga Prishtina për në Gjilan thotë për Telegrafin se për një biletë në këtë relacion që zakonisht kushton 2 euro sot ka paguar 5 euro.

“Nga 2 euro sa është çmimi në ditët e zakonshme, sot kemi paguar nga 5 euro për të shkuar nga Prishtina në Gjilan”, thotë ajo për Telegrafin.

Ndërkaq, kryetari i Shoqatës së Transportuesve, Ruzhdi Kurishaj në një deklaratë të dhënë për Telegrafin ka thënë se nuk do të ketë transport rrugor as ditëve në vazhdim.

“Pa u zbatuar çështja e pagesës nuk ka kthim prapa, derisa nuk ka zbatim të marrëveshjes nga Qeveria, nuk ka transport rrugor. Kur Qeveria merr vendim dhe fillon të bëjë pagesat atëherë jemi në rregull. Protesta vazhdon”, theksoi ai.

Lexo po ashtu Vazhdon greva - nuk do të ketë transport rrugor as ditëve në vazhdim

Ndryshe, Shoqata e transportuesve sot në shenjë proteste për mos subvencionimin nga Qeveria në formë proteste ka parakaluar me autobusë në kryeqytet, ndërsa ndaljen e ka bërë para objektit të Qeverisë.

Greva e Shoqatës së Transportit të Udhëtarëve, e të cilët vendosen që të ndalin qarkullimin e autobusëve ka filluar ditën e mërkurë. /Telegrafi/

Exit mobile version