Kompanitë e taksive në Kosovë po vazhdojnë të operojnë pa arka fiskale.
Zëvendësdrejtori i ATK-së, Hamdi Hoxha paralajmëron se së shpejti do të fillojë një aksion për t’i detyruar këto kompani të pajisen me arka fiskale. Ai i ka konfirmuar RTK-së, se qarkullimi vjetor I këtyre kompanive është 6.5 milion euro si dhe i ka ftuar qytetarët të raportojnë në ATK nëse taksitë nuk lëshojnë kupon fiskal.
Zëdhënësi i kompanive që merren me arka fiskale, Kestrin Kumnova ka thënë për RTK-në se këto kompani ofrojnë arka fiskale të përshtatshme për këtë lloj biznesi dhe janë të njëjtat që përdoren për transport urban.
Vitin e kaluar ATK pati ndërmarrë një aksion për t’i detyruar këto kompani të pajisen me arka fiskale mirëpo të njëjtat nuk e kanë përfillur atë duke vazhduar operimin pa deklaruar tatimin përmes kuponit fiskal. /Telegrafi/