Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat e Tregtisë së Jashtme, lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin janar 2019. Importet e Kosovës nga Serbia në janar 2019, kanë përbërë vetën 0.4 për qind të importeve.
Të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të ulët për 2.1% në muajin janar 2019, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2018, gjegjësisht në vlerë prej 166.9 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 170.5 milionë euro në vitin 2018. Eksporti mbulon importin me 12.3%, shkruan Telegrafi.
“Eksporti i mallrave në muajin janar 2019 kishte vlerën 23.4 milionë euro, ndërsa importi kishte vlerën prej 190.4 milionë euro, ku është një rënie prej (-4.3%) për eksport, si dhe një rënie prej (-2.4%) për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018”, ka njoftuar ASK-ja.
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 36.8% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 13.2% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 12.2% e përbëjnë produktet minerale; 7.1% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 6.1% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 5.4% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 4.9% e përbëjnë produktet bimore etj.
“Sipas të dhënave të grupeve kryesore për import e përbëjnë: 18.1% produktet minerale; 11.8% ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 11.4% makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 8.5% metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 8.5% mjetet e transportit; 7.9% produktet e industrisë kimike; 5.5% plastika, goma dhe artikujt prej tyre etj”, tregon ASK.
Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 8.9 milionë euro, ose rreth 38.0% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 40.8%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (9.3%), Italia (8.5%), Holanda (5.2%), Britani e Madhe (3.9%).
“Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 99.2 milionë euro, ose 52.1% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 55.5%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (11.7%), Sllovenia (7.3%), Greqia (6.2%), Italia (4.8%), Bullgaria (4.3%) etj”.
Në muajin janar 2019, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 7.4 milionë euro, ose 31.9% të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-22.8%).
“Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Shqipëria (10.9%), Maqedonia (8.7%), Serbia (6.1%), Mali i Zi (4.9%)”, ka njoftuar ASK-ja.
Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin janar 2018 arritën në 19.8 milionë euro, ose 10.4% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-46.5%). “Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Maqedonia (5.7%), Shqipëria (3.6%) dhe Serbia (0.4 %)”.
Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 7.0 milionë euro, ose 30.1%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: India (14.9%), Zvicra (9.0%).
Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 71.3 milionë euro, ose 37.5%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Kina (10.9%) dhe Turqia (10.4%).
Qeveria e Kosovës, para më shumë se tre muajve ka vendosur taksë 100 për qind për produktet e Serbsië dhe Bonje e Hercegovinën. /Telegrafi/