Taksa prej 10 për qind e vendosur nga Qeveria e Kosovës, për produktet e importuar nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, po konsiderohet e pakët dhe me efekte minimale në mbrojtjen e prodhimeve vendore.
Për të pasur efekte taksa, sipas njohësve të ekonomisë dhe prodhuesve vendorë, do të duhej të ishte më e lartë sesa është vendosur nga ana e Qeverisë së Kosovës.
Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ka thënë për Telegrafin se për t’i mbrojtur produktet vendore, taksa për produktet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina është dashur të jetë së paku 30 për qind.
“Kam dyshime se Qeveria do të mund t’i përballojë presioneve të Bashkimit Evropian rreth taksës së vendos për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Megjithatë, vendosja e taksës prej 10 për qind është e vogël. Kujtojmë se për pemë edhe perime kemi pas vendosur taksë 30 për qind në import. Nëse më të vërtetë e kanë për qëllim mbrojtjen e prodhimeve vendore, së paku taksa është dashur të jetë në masë prej 30 për qind. Këto të cilat po i them janë në bazë të analizave të mirëfillta, se pse kemi vendos në atë kohë taksën prej 30 për qind”, tha ai.
Sipas tij, eksportet e Serbisë dhe Bosnjës janë të egra për në vendin tonë.
“Ky është limit që duhet të mbrohen prodhuesit vendorë në raport me importin e egër të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës”, ka thënë tutje ish-ministri i MTI-së, Bajram Hasani.
Kurse, pronari i kompanisë “Trepharm” e cila merret me prodhimin e barnave, Mërgim Prishtina, për Telegrafin ka thënë se më mirë Kosova duhet të vendos reciprocitet se sa të vendos tarifa.
“Më mirë është që të ketë reciprocitet me këto shtete, pasi që ato nuk kanë taksa për neve por kanë barriera procedurale. Prandaj, Kosova është vendi për qasjen më të lehtë për sa i përket burokracive për qasjen në treg. Unë mendoj se vlera prej 10 për qind nuk është e mjaftueshme, por më mirë duhet vendosur kërkesa dhe ngritja e standardeve ndaj prodhuesve rajonal”, tha për Telegrafin, Prishtina.
Ai thotë gjithsesi se vendimi i Qeverisë së Kosovës është i mirëseardhur, por sipas tij, prodhuesit nga Kosova kanë vështirësi të kyçen në tregun e Serbisë dhe Bosnjës.
“Ky vendim është një fillim shumë i mirë. Ne si Trepharm jemi duke u munduar që pesë vite të hyjmë në tregun e Serbisë, por nuk kemi pasur mundësi. Aktualisht jemi duke tentuar që të kyçemi edhe në tregun e Bosnje e Hercegovinës, por është e pamundur që të hyjmë atje me produkte”, tha ai.
Ndërkaq, prodhuesi i pijeve joalkoolike, Bashkim Osmani ka thënë se masat mbrojtëse është dashur të merren më herët, sidomos me Serbinë.
“Vënia e taksës nga Qeveria e Kosovës për prodhimet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina do të ketë efekt. Madje masa me Serbinë është dashur të aplikohet më herët, sepse ne si prodhues vendor nuk kemi mundësi të shesim mallra në Serbi. Prej kur është shpallur Pavarësia e Kosovës, kemi pasur në vazhdimësi problem me dokumentet e Kosovës gjatë eksporti në Serbi”, ka bërë të ditur Osmani, shkruan Telegrafi.
Sipas tij, masat e ndërmarra mund të jenë të mjaftueshme për të krijuar efekte baraspeshë me prodhimet vendore.
Ndryshe sipas zyrtarëve të Doganës së Kosovës, brenda një viti, Kosova, nga Serbia importon mallra në vlerë prej 400 milionë eurove, ndërsa nga Bosnja e Hercegovina importon në vlerë prej rreth 80 milionë euro. Sa i përket eksporteve drejt këtyre vendeve janë minore. /Telegrafi/