Site icon Telegrafi

Taksa e parfumeve në Shqipëri, për të financuar shtypjen e librave shqip për ‘tokat e lirueme’!

Kreshnik Kuçaj

Revista “Leka” e marsit të vitit 1944, në rubrikën “Lajme Kombëtare”, raporton për vendimin e marrë me 30 tetor të 1943, kur s’kishte pak javë që kishte kapitulluar Italia e vendin e saj në Shqipëri e kishte zënë ushtria gjermane. Vendimi parashikonte krijimin e “Fondit për Zhvillimin e Kulturës Kombëtare”.

Ky fond u krijua pranë ministrisë së Kulturës Popullore dhe do të sigurohej përmes një takse 10 për qind mbi çmimin e shitjes së parfumeve, pudrave, kremrave e locjoneve të ndryshme. Me të njëjtën masë taksoheshin edhe librat e huaj që shiteshin në Shqipëri.

“Fondi i Zhvillimit të Kulturës Kombëtare do të jetë i derdhur pranë Bankës Kombëtare të Shqypnis. Evidenca e tij do të mbahet prej Kontabilitetit të Shtetit” përcaktohej në vendim. Kjo taksë parashikohej të arkëtohej përmes një pulle të veçantë që ngjitej mbi shishet me parfum e në librat e huaj, duke iu mbivendosur vulës që mbante emrin e tregtarit të produktit.

Të ardhurat që siguroheshin përmes kësaj skeme e që derdheshin në “Fondin për Zhvillimin e Kulturës Kombëtare” do të caktoheshin për shtypjen ose rishtypjen e librave në gjuhën shqipe, ashtu sikurse edhe për çeljen e bibliotekave në trojet shqiptare ku ishte e nevojshme.

Vendimi përcaktonte që ky fond t’i kushtonte një vëmendje të veçantë ‘Tokave të Lirueme’ në të cilat bënin pjesë trojet shqiptare në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi.

Fondi administrohej prej një Komitetit të përbërë prej Ministrisë së Kulturës Popullore, Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Financave si dhe prej një shkrimtari të njohur të zgjedhur prej Ministrisë së Kulturës Popullore dhe të një profesori të Gjimnazit të emëruar prej ministrisë së Arsimit.

Ministria e Financave ngarkohej për vënien në zbatim dhe me ndjekjen dhe penalizimin e kundravajtjeve në rastet kur tentohej të shmangej taksa 10 për qind e çmimit të shitjes së këtyre produkteve.”

Exit mobile version