Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka pritur të mërkurën në takim drejtorin e Administratës Tatimore të Kosovës, Sakip Imeri, përfaqësuesit e GIZ-të dhe ekspertët nga Administrata Tatimore e landit të Bavarisë në Gjermani ku kanë diskutuar për modalitetet për zhvillimin e projektit në të ardhmen.
Imeri dhe përfaqësuesit e GIZ-it, e kanë njoftuar kryeprokurorin Lumezi, se Projekti për Reformën e Sistemit të Financave Publike në Kosovë i zbatuar nga GIZ-i, në emër të ministrisë gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, mbështet Ministrinë e Financave dhe Administratën Tatimore të Kosovës në zbatimin e reformave dhe përmbushjen e strategjive në fushën e financave publike.
Gjithashtu, Lumezi dhe Imeri kanë theksuar se për këtë qëllim në kuadër të Administratës Tatimore, është krijuar Zyra për Gjoba dhe Ndëshkime Administrative, e cila shqyrton të gjitha rastet në të cilat mund të këtë gjoba dhe ndëshkime dhe vendos për këto të fundit, ku në të ardhmen synohet që të ketë bashkëpunim me Prokurorinë, Gjykatat dhe institucionet tjera për zbatimin e ligjit në fushën e shkeljeve të mundshme tatimore dhe kundërvajtjeve.
Në fund, Lumezi ka potencuar se prioritetet kryesore i Prokurorit të Shtetit është ndjekja e suksesshme e krimit të organizuar, korrupsionit, krimeve ekonomike, financiare dhe veprave penale që rrënojnë bazat e ekonomisë së vendit dhe për këtë qëllim do të rris bashkëpunimin me Administratën Tatimore të Kosovës. /Telegrafi/