Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka pritur në një takim ministrin e Ekonomisë së Maqedonisë, Driton Kuqi, me të cilin biseduan për nevojën e intensifikimit të bashkëpunimit, jo vetëm në fushën ekonomike por në të gjitha fushat e bashkëpunimit.
Në një komunikatë për media lëshuar nga Ministria e Drejtësisë thuhet se ministri Hajredin Kuçi ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm dhe konstruktiv rolin e faktorit shqiptar në të gjitha zhvillimet në Maqedoni.
“Ai theksoi se faktori shqiptar në Maqedoni është determinues edhe për raportet midis dy vendeve”, thuhet në komunikatën e MD-së.
Ndërsa ministri i Ekonomisë së Maqedonisë, duke rikonfirmuar gatishmërinë e tij për të çuar përpara këtë bashkëpunim, shprehu edhe përgëzimet e tij për dy të arriturat e mëdha të Kosovës: rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave dhe pranimin në UEFA.
“Të dy bashkëbiseduesit theksuan se marrëdhëniet e mira midis dy vendeve kanë impakt pozitiv për zhvillimin dhe stabilitetin rajonal dhe në të njëjtën kohë i shërbejnë përshpejtimit të agjendës euroatlantike të Kosovës dhe Maqedonisë”, thuhet në komunikatë të Ministrisë së Drejtësisë.