Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në bashkëpunim me Agjencioni për Zhvillim Rajonal – Lindje, ka pasur sot në një takim pune dhe mobilizimi kundër virusit Covid-19, të gjithë kryetarët e 11 komunave të këtij regjioni.
Kryetari Haziri ka thënë pas këtij takimi se janë mbledhur për të mbuluar në mënyrën më të mirë regjionin e gjerë të vijës më të gjatë kufitare me dy shtete.
“Jemi në mobilizim të përgjithshëm në këtë regjion për ta menaxhuar këtë situatë në mënyrën më të mirë dhe me mobilizim të përbashkët që qytetarët tanë të jenë të mbrojtur nga virusi Covid-19. Edhe më tutje ky është virus i panjohur dhe lufta me të panjohurën është lufta më e vështirë”, ka pohuar kryetari Haziri.
Ai ka falënderuar kryetarët e komunave për bashkëpunimin dhe përkushtimin që kanë dhe të gjithë zyrtarët e shtetit nga të gjitha nivelet, që kjo gjendje të tejkalohet me angazhim maksimal dhe me sa më pak raste të prekura.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka thënë se kjo pandemi nuk njeh kufij shtetëror e global, por në këto raste kërkohet një bashkëpunim dhe mbështetje më e madhe nga niveli qendror.
Qëndron Kastrati, kryetar i Komunës së Kamenicës, ka thënë se janë dyshuar një numër i madh i qytetarëve të prekur me këtë virus, mirëpo gjendja është nën kontroll dhe angazhimi i përbashkët e bënë më të lehtë ballafaqimin me këtë pandemi sfiduese për të gjithë ne.
Në fjalën e tij, kryetari i Novobërdës, Sfetisllav Ivanovic, ka thënë se koordinimi në nivel regjioni e bënë më të lehtë ballafaqimin me këtë virus për komunat që janë të vogëla.
Në adresimin para mediave, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka thënë se gjendja në këtë Komunë tani është stabile, edhe pse një kohë e gjatë është duke kaluar në karantinë, por me një përkushtim të madh në monitorimin e rasteve, parandalimin, mbështetjen e rasteve në nevojë.
Ata, po ashtu, kanë kërkuar një angazhim edhe më të madh të nivelit qendror në këtë rrafsh që të ketë një lehtësi më të madhe në përballimin e kësaj situate.
Në fund, deklarata e përbashkët nga ky takim ka përmbledhur kërkesat siç janë: përfshirja në pakon fiskale për kategorinë e zjarrfikësve vullnetar, kompanive të pastrimit, shërbimet taksive për subvendionim, pastaj përfshirja e punëtorëve të ndërtimtarisë që nuk kanë kontrata pune në këtë pako të subvencioneve, furnizimin me materiale higjienike, sanitare dhe medikamente të jetë proporcional me madhësinë e komunave dhe me numrin e rasteve të infektuar dhe ndërtimi i një komunikimi aktiv e gjithpërfshirës me të gjitha komunat dhe nivelit qendror do të ndikonte në parandalimin më të lehtë të Covid 19.
“Jemi të bashkuar pa dallime për të luftuar me sukses këtë pandemi”, deklaruan kryetarët. /Telegrafi/