Këtë manifestim, të vetmin në diasporën shqiptare, e organizon Unioni i Shoqatave Shqiptare. Në Këshillin Organizativ të këtij Festivali thonë se tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet dhe Malmë pret pjesëmarrësit dhe mysafirët.
Në Festivalin e VIII, do të prezantohen 24 krijues letrarë dhe muzikorë shqiptarë që jetojnë dhe krijojnë në disa shtete të Evropës, por pjesa dominuese në festivalin e sivjetmë janë nga Suedia.
Të gjitha punimet e prezantuara, do të përcillen nga Juria profesionale, ndërsa në bazë të vendimeve të kësaj jurie, për krijimet më të dalluara, organizatori do të ndajë shpërblime në të holla dhe shpërblime të tjera.
Në kuadër të manifestimeve përcjellëse të Festivalit, sivjet do të bëhet edhe promovimi i veprave letrare të Ismail Manxhukës, Zyrafete Manajt dhe Qerim Raqit, të tre krijuesve letrarë nga Suedia, librat e të cilëve janë botuar brenda dy festivaleve.
Festivalin e Poezisë dhe të Muzikës Krijuese Shqiptare në Diasporë, tashmë e ka futur në Program edhe Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës, përfaqësuesit e së cilës ministri për çdo vjet e nderojnë festivalin me pjesëmarrje./Telegrafi/