Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj ka takuar sot kreun e Nisma-s, Fatmir Limaj me të cilin kanë diskutuar për mundësinë e hyrjes në koalicion parazgjedhor.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi.
Ai ka thënë se në ditët në vijim ka gjasa që të zyrtarizohet marrëveshja për koalicion parazgjedhor duke pasur parasysh bisedimet në mes dy subjekteve.
“Po, takimi është zhvilluar ka pasur bisedime rreth mundësisë së hyrjes në koalicion të përbashkët parazgjedhor. Në ditët në vijim ka gjasa që të zyrtarizohet kjo marrëveshje, pasi që ende jemi në fazën e bisedimeve”, ka thënë Isufi.
Edhe kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, pas përfundimit të takimit, ka thënë para gazetarëve se kanë biseduar për mundësinë e bashkëpunimit, sikurse me PSD-në, por që ka theksuar se ende nuk janë dakorduar për ndonjë marrëveshje.
Zhvillimin e këtij takimi e kanë konfirmuar edhe nga Nisma për Kosovën.
Mirëpo për dallim nga AAK-ja, zyrtarët e Nismas kanë mohuar të jetë diskutuar për koalicion të mundshëm mes këtyre dy subjekteve.
Leotrim Berisha, këshilltar politik i Fatmir Limajt ka thënë për Telegrafin se në këtë takim është folur për seancën e së enjtes ku pritet të ndodhë shpërndarja e Kuvendit.
“Takimi është mbajtur, është diskutuar për seancën e së enjtes, për shpërndarjen e Kuvendit dhe nevojën që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme”, ka thënë Berisha.
Ndryshe partia e Ramush Haradinaj dje ka zyrtarizuar marrëveshjen për koalicion parazgjedhor me Partinë Socialdemokrate të Shpend Ahmetit. /Telegrafi/