Telegrafi

Takimi Trump-Kim, reagon familja e studentit Otto Warmbier

Familja e studentit amerikan, i cili vdiq pasi ishte burgosur në Korenë e Veriut, ka reaguar pas takimit të Donald Trump me Kim Jong-un.

Prindërit e Otto Warmbier thanë se treguan respekt pasi nuk u deklaruan gjatë kohës sa u mbajt samiti, por me nënkuptime, ata kritikuan edhe presidentin Trump për lavdet që i bëri liderit koreano-verior.

“Ne kemi treguar respekt gjatë samitit, por tani duhet të flasim. Kim dhe regjimi i tij djallëzor janë përgjegjës për vdekjen e djalit tonë, Otto. Kim dhe regjimi i tij janë përgjegjës për të gjitha mizoritë dhe asnjë arsye apo lavdërim nuk mund ta ndryshojë këtë”, thuhet në deklaratën e Fred dhe Cindy Warmbier.

Lexo po ashtu Trump: Kim Jong Un lider i vërtetë, është shumë i zgjuar

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Donald Trump në Twitter.

Ai shkroi se ka respekt për familjen Warmbier dhe se deklaratat e tij ishin keqinterpretuar.

Ai shtoi se ende e bën përgjegjës Korenë e Veriut për vdekjen e Ottos, por kujtoi përpjekjet e administratës së tij, për ndryshim nga ajo e kaluara, që sipas Trump, nuk bëri asgjë për lirimin e studentit të ndjerë, përcjell KosovaPress.

Otto Warmbier ishte burgosur në Penian në janar të vitit 2016 gjatë një turi të organizuar me arsyetimin se kishte vjedhur një punonjës të hotelit.

Studenti i Universitetit të Virxhinias u dënua me 15 vite punë të rëndë, por u lirua pas 17 muajsh.

Më pas, 22-vjeçari u kthye në SHBA në qershor të vitit 2017 dhe disa ditë më vonë ndërroi jetë në vendin e tij të lindjes në Ohio.