Site icon Telegrafi

Takimi i thirrur nga Haradinaj zhvillohet në ora 14:00, nëse i përgjigjen partnerët e koalicionit

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, ka ftuar partnerët e koalicionit në një takim konsultativ. Haradinaj ftesën partnerëve të koalicionit ua bëri dje nëpërmjet një konference për media, madje me ironi tha se në takim do të diskutojnë për ngrohjen globale.

Telegrafi merr vesh nga burime brenda zyrës së kryeministrit se takimi do të mbahet në orën 14:00.

Ndërsa shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Ahmeti Isufi, në një përgjigje dhënë Telegrafit, ka thënë se nuk kanë ndonjë agjendë rreth mbajtjes së takimit.

“Kryeministri sot do të fillojë takimet me përfaqësuesit partnerëve të koalicionit me vullnetin e kryetarëve të këtyre partive. Nuk kam ndonjë agjendë por e di që do t’i takojë”, ka thënë ai.

Ndryshe kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe kryetar i PDK-së, Kadri Veseli ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës të votojë për shpërbërjen e vet dhe të caktohet data e zgjedhjeve, në mënyrë që vendi të shkojë sa më shpejtë në zgjedhje.

Ai këtë deklaratë e bëri për RTK, pas mbajtjes së mbledhjes së parë të Këshillit Drejtues të PDK-së, i dalë nga zgjedhjet e brendshme të kësaj partie.

Lexo po ashtu NISMA dhe AKR-ja i përgjigjen ftesës së Haradinajt, thonë se janë të gatshëm për takim

“Mos t’i maltretojmë qytetarët, është koha e vendimmarrjes. I kisha thirrë kolegët e mi të partive politike, të mblidhemi në Kuvend, duhet të ndodh shpërbërja e Parlamentit, të merremi vesh për datën e zgjedhjeve”, tha Veseli.

Ai ka thënë se ka dy mundësi për caktimin e zgjedhjeve, takimi i partive politike me presidentin dhe vendimi i Kuvendit për shpërbërje, që sipas Veselit ky i dyti është dhe më i shpejt.

Në lidhje me ftesën e kryeministrit në largim, Ramush Haradinaj që u ka bërë për takim partnerëve qeverisës, Veseli ka lënë të nënkuptohet se nuk do t’i përgjigjet ftesës, duke pohuar se kjo tani nuk ta të me asnjë individ dhe se “kryeministri në largim, është kryeministri në largim”.

Kurse Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka paralajmëruar një takim me partitë politike  gjatë kësaj, për të nis konsultimet me partitë politike për ndërmarrjen e hapave të mëtejmë që çojnë në tejkalimin e situatës së krijuar nga dorëheqja e kryeministrit.

Në njoftimin për media nga zyra e Presidentit, të bërë të enjten, thuhej se ai do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në pajtim me kompetencat e përcaktuara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version