Mëngjesin e së enjtes janë takuar presidenti i vendit, Hashim Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Për këtë takim, të cilin e ka konfirmuar fillimisht zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyqi, ka folur edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe kryetar i AAK-së në Pejë, Ali Berisha.
Berisha për “Radio 1”, ka thënë se ata kanë diskutuar për zhvillimet politike e institucionale dhe nevojën e takimeve dhe konsultave me akter e partnerë.
“Ajo që tani për tani mund të them, është se takimi ka ndodhur. Zhvillimet politike dhe institucionale, nevoja për dinamika të reja, të mençura, normalisht që derivojnë edhe nevojën e takimeve dhe konsulta me akter dhe partnerë. Kryetari Haradinaj si çdo herë mbetet transparent dhe i përkushtuar ndaj zhvillimeve. Edhe takimi i sotëm i mëngjesit normalisht që është në një frymë të tillë. Korrekt, i arsyeshëm dhe logjik deri në fund”, deklaroi Berisha.
Kurse, për takimin që zgjati më shumë se një orë dhe zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi, tha se takimi i mbajtur në mëngjes nuk kishte ndonjë lidhje me zhvillimet politike apo ndonjë temë tjetër në Kosovë.
“Kryetari i PDK-së, z. Veseli ka pasur një mëngjes me presidentin dhe z. Haradinaj, por nuk lidhet me asnjë zhvillim politik apo temë tjetër në Kosovë”, tha Bytyqi. /njëshi/