Kryeministri Edi Rama, Fatmir Xhafaj, kreu i grupit të LSI-së Petrit Vasili mbërritën të parët në Pallatin e Kongreseve për takimin e shumëpërfolur mes opozitës dhe mazhorancës për reformën në drejtësi.
Lideri demokrat Lulzim Basha mbërriti pak minuta më pas nën shoqërinë e kreut të grupit parlamentar Edi Paloka dhe Oerd Bylykbashit. Edhe pse u përfol për një takim kokë më kokë mes kryetarit të opozitës dhe kreut të qeverisë, tavolina e diskutimeve është më e gjerë.
Xhafaj është kreu i komisionit të posaçëm prej nga u miratua drafti i reformës në drejtësi, ndërsa Bylykbashi është nënkryetar i komisionit. Prania e Petrit Vasilit ishte një surprizë që u zbulua këtë të hënë, pasi më herët nuk ishte folur për prezencën e tij, ashtu sikurse edhe Edi Paloka.
Mbledhje zhvillohet me dyer të mbyllura në ambientet e Pallatit të Kongreseve, por i vetmi moent kur janë lejuar kamerat është ai teksa palët janë ulur në tryezë. Dy liderët politikë i kanë dhënë dorën njëri-tjetrit, ndërsa në këtë foto nga takimi, duket se situata është mjaft e shtensionuar, pasi “kundërshtarët” janë shfaqur mjaft të qeshur, transmeton Express.
Rama dhe Basha do të kenë një prononcim për mediat në përfundim të takimit ku pritet të bëjnë publike qëndrimin e tyre dhe dakordësinë ose jo të arritur për reformën në drejtësi.
Po sot, lideri i opozitës u takua me ambasadorin amerikan në vendin tonë Donald Lu në selinë blu, e më tej Basha pati një takim edhe me ish-kryeministrin Sali Berisha.