Site icon Telegrafi

Takimi i parë i përbashkët i komisioneve nacionale për UNESCO të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë

Komisionet Nacionale për UNESCO,të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, nesër më 12 korrik në Ohër, do të zhvillojnë seancën e parë të përbashkët. Takimi i punës do të koordinohet nga dy ministret e kulturës të të dy vendeve, Irena Stefoska dhe Elva Margariti, të cilat janë gjithashtu kryetare të Komisioneve Nacionale për UNESCO.

Siç njoftojnë nga Ministria e Kulturës, në seancën kushtuar koordinimit të ardhshëm në kontekstin e menaxhimit të përbashkët me Rajonin e Ohrit, në përputhje me udhëzimet e fundit të raportit të Misionit reaktiv të UNESCO-s, do të marrin pjesë edhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Maqedonisë së Veriut, Naser Nuredini dhe homologu i tij shqiptar, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi.

Në seancë do të diskutohet për Projekt-Vendimin e Komitetit për Trashëgimi Botërore të UNESCO-s, për “Trashëgiminë Kulturore dhe Natyrore të Rajonit të Ohrit” dhe do të përcaktohen përparësitë dhe hapat e ardhshëm për veprim të përbashkët. Është paraparë edhe të nënshkruhet një deklaratë e përbashkët që synon ruajtjen e statusit të Trashëgimisë Botërore të Rajonit të Ohrit.

Në takim,ministret e kulturës, Stefoska dhe Margariti, do të nënshkruajnë një Program për bashkëpunim në fushën e kulturës ndërmjet Ministrisë së Kulturës të Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Kulturës të Shqipërisë, për periudhën nga viti 2021 deri më vitin 2026.

 

 

 

Exit mobile version