Site icon Telegrafi

Takimi i opozitës për të “sqaruar pozicionet” (Video)

Tri partitë opozitare, Vetëvendosje, AAK dhe Nisma janë takuar sot, në takimin e parë që nga ai i të premtes kur e anuluan protestën opozitare, raporton KTV.

Liderët e partive dhe zyrtarë tjerë janë pritur në selinë e AAK-së nga lideri i saj, Ramush Haradinaj. Takimi ka qenë i mbyllur për media.

KohaVisioni ndërkaq ka mësuar se në takim në fakt është biseduar për dallimet që janë shfaqur ndërmjet partive opozitare.

“Ka qenë më shumë takim për të sqaruar pozicionet e partive dhe diskutim për propozimet që janë bërë nga disa prej partive në opozitë, sidomos ajo për alternativën qeverisëse dhe krijimin e një fronti të gjerë opozitar dhe të shoqërisë civile”, ka thënë ky burim për KTV-në.

Ndërkohë, opozita e bashkuar ka shfaqur çarjen më të madhe që nga krijimi, kur të premten anuloi protestën e 26 marsit.
Festa e Pashkëve është përmendur si një nga arsyet e shtyrjes, derisa kishte raportime se AAK mund të ofrohet me partitë në koalicion pas deklaratave të shumta të liderit të saj, Haradinaj.

Partia e tij e ka demantuar këtë duke thënë se kurrë dhe në asnjë rrethanë nuk bëhen pjesë e Qeverisë së Isa Mustafës.

Takimet e partive opozitare, ka mësuar KTV-ja, do të vazhdojnë edhe në ditët në vazhdim.

Exit mobile version