Raundi i dytë i bisedimeve mes liderëve të pozitës dhe opozitës shqiptare, Edi Rama dhe Lulzim Basha, të ndërmjetësuar nga Presidenti Bujar Nishani, sipas shefit të pozitës, të dy palët kanë mbetur në pozicionet e tyre të më parshme.
“Jemi në të njëjtin pozicion që kemi qenë dje. Oferta që unë i kam bërë Partisë Demokratike, është ajo e ditura, për të ndërtuar një mekanizëm monitorimi të zgjedhjeve, ku Partia Demokratike të ketë të dy sytë në proces nga brenda qeverisë me një zv. kryeministër që të propozohet nga PD dhe së bashku me tre përfaqësues të SHBA, BE dhe OSBE-së të drejtojë një Task Forcë për të siguruar që shteti dhe asetet shtetërore nuk keqpërdoren për fushatë elektorale.
Të ketë tre zv. ministra të propozuar nga PD, por jo nga radhët e PD-së, që të vendosen në Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Arsimit. Edhe këta të tre të jenë po ashtu të shoqëruar nga tre përfaqësues të komunitetit ndërkombëtarë”, tha Rama.
Në lidhje me marrëveshjen e mundshme, Rama tha se nuk pret diçka pozitive në lidhje me ofertën e tij.
“Këtë i takon kryetarit të Partisë Demokratike që ta thotë, por nga biseda që pata mund të them që jo. Marrëveshje nuk ka, por më shumë nga ana jonë për marrëveshje nuk do të ketë”, tha Kryeministri dhe shtoi se data e zgjedhjeve është 18 qershori.