Site icon Telegrafi

Takimi ndërmjet Trump dhe Kim Jong-un mund të mbahet në Zvicër?

Lajmi që presidenti amerikan ka pranuar një ftesë për t’u ulur në bisedime me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un, ka shkaktuar spekulime rreth asaj se ku mund të mbahet një takim i tillë.

Dhe siç shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, ndër opsionet që nxirren për bisedimet rreth programit të diskutueshëm bërthamor dhe raketor të Koresë së Veriut është Zvicra, dhe më konkretisht, Gjeneva.

“Zvicra është duke folur me të gjitha palët e përfshira”, citojnë mediat zvicerane zëdhënësen e Departamentit Federal të Punëve të Jashtme, Carole Wälti.

“Mbetet tek palët e përfshira të vendosin nëse, kur dhe ku duan të mbajnë bisedime”, ka shtuar ajo.

Ndërkohë, zëdhënësi i qeverisë zvicerane André Simonazzi të premten u tha gazetarëve se Zvicra mirëpriti bisedimet.

Por, siç ka shtuar ai, rreth një takimi të tillë nuk është diskutuar nga qeveria.

Megjithatë, Simonazzi shtoi se Zvicra siguroi “një shërbim të mirë”.

Ndër faktorët që favorizojnë Zvicrën janë neutraliteti dhe historia e gjatë e mbajtjes së bisedimeve të tilla, duke përfshirë, takimin e vitit 1985 që përfshinte Ronald Reagan dhe Mikhail Gorbaçov në Gjenevë.

Qyteti gjithashtu ka luajtur rol mikpritës nga 1997 në 1999 në bisedimet që përfshinë SHBA-të, Kinën dhe të dy koreat. /Telegrafi/

Exit mobile version