Telegrafi

Takimi Jahjaga-Nikolic, pa vullnet të qytetarëve

Analisti Belul Beqaj theksoi për Telegrafin se nga ky takim do të mbahen deri diku në mend vetëm fotografitë, deklaratat dhe asnjë veprim përmbajtjesor.

Ai tha se ditët në vijim do të jenë kritike për Kosovën dhe Serbinë për aq sa zyrtarët e dy palëve do të pranojnë sugjerimet e BE pa i mbrojtur fuqishëm argumentet pse zgjidhja që propozohet nga BE dhe SHBA nuk mund të jetë e qëndrueshme dhe në funksion të paqes.

“Dështimi për të mbrojtur argumentet që pjesën veriore e bëjnë të veçantë (pse ndoshta përkohësisht e qetëson situatën, por në kuptimin afatgjatë është investim në de funksionalizimin e shtetit të Kosovës dhe rrezikimit të paqes, nëse e njëjta zgjidhje nuk i ofrohet shqiptarëve Luginës së Preshevës) realisht nuk i bën vetëm ditët vijuese të rrezikshme, por edhe të ardhmen e këtyre raporteve”, ka deklaruar Beqaj.

Edhe analisti Ilir Deda ka thënë për Telegrafin se është evidente se edhe ky takim është në funksion të agjendës së BE-së për zgjidhjen kalimtare të çështjes së veriut.

Ai tha se duket interesante se presidentja Jahjaga gjatë takimit nuk pranoi t’i përkrah bisedimet për veriun e Kosovës.

“Duket se ka mos koordinim në mes institucioneve, qeverisë dhe presidencës, që do të thotë se ka çarje institucionale”, ka deklaruar Deda.

Shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, e cila ka ndërmjetësuar takimin në mes të presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe atij të Serbisë, Tomislav Nikolic, ka deklaruar “javët e ardhshme do të jenë kritike”. /Telegrafi/