Telegrafi

Takimi i drejtpërdrejtë Prishtinë-Beograd, Grupi i Kontaktit pret konstruktivitet

Shefi i diplomacisë britanike, David Milliband, pas takimit të ministrave të punëve të jashtme të gjashtë shteteve të Grupit të Kontaktit, në New York, ka thënë se, “nga pjesëmarrësit në procesin e bisedimeve pritet përgjegjësi dhe se që të dyja palët duhet të jenë konstruktive, pasi që kjo është mënyra e vetme për të arritur një zgjidhje kompromisi”.

Milliband ka thënë po ashtu se, Grupi i Kontaktit do të dëshironte të shihte angazhimin e vërtetë të Beogradit dhe Prishtinës për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme për të dyja palët, mirëpo i është shmangur përgjigjes se cila do të jetë agjenda e bisedimeve në takimin e sotëm në mes të palëve.

Takimi i shefave të diplomacive të vendeve të grupit të kontaktit, SHBA, Rusisë, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë dhe Italisë – Condoleezza Rice, Sergey Lavrov, David Milliband, Bernard Kuochner, Frank-Walter Steinmeier dhe Masimo D’Alema, ka zgjatur rreth një orë.

Në këtë takim ka marrë pjesë edhe treshja ndërmjetësuese e këtij Grupi, që përbëhet nga përfaqësues të SHBA-së, BE-së dhe Rusisë, Frank Wisner, Wolfgang Ischinger dhe Alexander Kharchenko, si dhe sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Moon – i cili thuhet ta ketë përsëritur qëndrimin e tij se status-quoja është e paqëndrueshme në Kosovë.

Po ashtu në takim kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesi i lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Javier Solana, komisari evropian për Zgjerim, Olli Rehn, dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hop Scheffer.

Deklaratat e ministrave para takimit të GK-së

Para takimit, shefi i diplomacisë gjermane, Frank Walter-Steinmeier tha se, bisedimet për statusin e Kosovës po hyjnë në "fazën vendimtare". Steinmeier tha se ai është kundër ndarjes së Kosovës, si një nga opsionet për zgjidhjen e mundshme, dhe shtoi se ndarjen nuk e propozon as Treshja negociatore e Grupit të Kontaktit.

“Ndryshimi i kufijve në Ballkan do të sjellë pasiguri të re, e jo paqe", tha Steinmeier.

Ndërkaq sekretari i Jashtëm britanik, David Milliband tha se, Plani i Ahtisaarit për pavarësinë e mbikëqyrur mbetet baza për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Miliband shtoi se mund të bisedohet për të drejtat e pakicave, bartjen e pushtetit dhe dispozitat kushtetuese.

Zyrtarët amerikanë thanë se presin që Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendeve të Bashkimit Evropian ta njohin pavarësinë që do ta shpallë Kosova nëse bisedimet dështojnë.

Ministri i jashtëm francez, Bernard Kouchner tha se Bashkimi Evropian më në fund do duhet të vendosë për statusin e Kosovës. "Ky është problem evropian. Nuk është problem rus apo amerikan, dhe ne, Bashkimi Evropian, do të jemi ata që do vendosim, sepse ne do të përballemi me problemet në fund të vitit", tha Kouchner.