Site icon Telegrafi

Takimi i ekipit negociator në Bruksel, me karakter njoftues

Ekipi negociator i Kosovës, me në krye Fatmir Limajn e Shpend Ahmetin, sot do ta zhvillojnë takimin e parë në Bruksel me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherinin.

Pas votimit në Parlament, ky ekip në takimin e sotëm pritet të zhvillojë një takim që është cilësuar më tepër njoftues, shkruan Telegrafi.

Delegacioni Kosovar që përbëhet edhe nga Avni Arifi, Enver Hoxhaj, Visar Ymeri, Dukagjin Gorani e Dardan Gashi do të njoftohen nga BE-ja për hapat e radhës në kuadër të dialogut mes dy shteteve.

Zyra e BE-së ditë më parë, këtë takim e kishte cilësuar më shumë konsultues, duke insistuar se dialogu do të vazhdojë të zhvillohet ndërmjet presidentëve.

Por duke folur për këtë takim, kryesuesi i këtij ekipi, Shpend Ahmeti gjatë ditës së djeshme kishte deklaruar se në Bruksel do t’ua japin mesazhin se taksa nuk do të hiqet.

“Ajo që ne do të themi është se taksa është vendim i Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ne duam të dëgjojmë ato çka thotë Bashkimi Evropian për taksën dhe të njëjtat do t’i përcjellim tek Qeveria””, kishte thënë Ahmeti në Klan Kosova.

Kurse bashkëkryesuesi i Ahmetit, Fatmir Limaj është zotuar se që dialogu do të vazhdojë me një dinamikë të re.

Ky takim pritet të fillojë nga ora 10:00, kurse një orë më vonë do të ketë edhe një konferencë për media.

Ekipi i dialogut është zotuar se në Bruksel, gjatë takimeve të tjera do të hapin temat për të pagjeturit, kompensimin e dëmeve të luftës, duke insistuar edhe në njohjen përfundimtare nga Serbia.

Kundër këtij ekipi kanë dalë dy partitë e tjera opozitare LDK-ja dhe Vetëvendosja.

Dy partitë e kanë vlerësuar se ky ekip “nuk ka legjitimitet”, dhe për vazhdimin e dialogut, sipas tyre fillimisht duhen zgjedhje të reja. /Telegrafi/

Exit mobile version