Site icon Telegrafi

Takimi i dyshes nga “Back to the Future” i ka përlotur të gjithë

(Foto: IMDb/Instagram/Twitter)

Yjet e filmit “Back to the Future”, Michael J. Fox dhe Christopher Lloyd, janë takuar këtë fundjavë në festivalin Comic Con në New York.

Edhe 37 vjet prej se u publikua trilogjia fantastiko-shkencore e regjisorit Robert Zemeckis, aktorët morën pjesë në një nga panelet, duke folur për miqësinë e tyre, karrierën dhe xhirimet e sagës ikonike.

“Pjesa më e mirë e këtij filmi ishte puna me Chris. Ai është thjesht i shkëlqyer”, është shprehur Michael i emocionuar.

Ndër të tjera, Fox ka folur edhe për sëmundjen nga e cila vuan prej më shumë se 30 vitesh. Kujtojmë se në moshën 29 vjeçare, kur karriera e tij profesionale ishte në kulmin e saj, ai u diagnostikua me sëmundjen e Parkinsonit.


Sëmundja Parkinson është një çrregullim progresiv i sistemit nervor që e prek lëvizjen. Simptomat fillojnë gradualisht, nganjëherë duke nisur me tremor (dridhje) vetëm në njërën dorë që vërehet me vështirësi.

Krahas tremorëve, shkakton edhe ngurtësi ose lëvizje të ngadalta. Në stadet e hershme, fytyra mund të tregojë pak ose aspak mimikë. Krahët mund të mos lëkunden gjatë ecjes, të folurit bëhet i butë ose i paqartë.

Simptomat përkeqësohen me përparimin e sëmundjes. Sëmundja Parkinson nuk ka shërim, mirëpo ka terapi që dukshëm e përmirësojnë gjendjen. Në raste të caktuara, është e nevojshme ndërhyrja kirurgjike në tru.


Pavarësisht vështirësisë për të ecur dhe për të qëndruar në këmbë, aktori në fund përqafoi kolegun e tij të filmit dhe publiku e përshëndeti atë moment veçanërisht emocionues me një ovacion në këmbë. Videoja e këtij momenti prekës i përloti shumë nga shikuesit.

Michael është shumë i guximshëm”; “Nuk mund të ndalem së qari”; “Është kaq e vështirë të shohësh Martyn në këtë gjendje” – janë disa nga komentet.

Ndryshe, trilogjia “Back to the Future” është një nga filmat familjarë më të pëlqyer të të gjitha kohërave. /Telegrafi/

Exit mobile version