Shqipëria nuk heq dorë nga Open Balkan dhe as nga kërkesat ndaj Kosovës për t’iu bashkuar iniciativës.
Në ambientet e Ministrisë së Jashtme, Olta Xhaçka, nuk nguroi t’i kërkonte homologes së saj nga Kosova Donika Gërvalla, të ardhur për vizitë, angazhimin në nismat rajonale.
“U angazhuam për zbatimin e plotë të marrëveshjes mes dy ministrive të Jashtme, mbi bashkëpunimin strategjik në fushën e politikës së jashtme nëpërmjet harmonizimit të aksioneve, diplomacisë mbi arritjen e objektivave strategjikë kombëtarë, ku përparësi mbetet anëtarësimi i Republikës së Kosovës në nismat rajonale dhe në organizatat ndërkombëtare. Shqipëria do të jetë gjithnjë në krah të Kosovës”, tha Xhaçka.
Në përgjigje të ftesës, Gërvalla i kujtoi Xhaçkës tensionet në veri të Kosovës, ndërsa kërkoi prej saj një koordinim në qëndrimin ndaj Serbisë.
“Si në çdo familje të madhe, duhet të diskutojmë dhe për temat që janë shqetësuese. Gjatë muajve të fundit, ashtu siç e kanë parë të gjithë, gjuha e fqinjit tonë verior, Serbisë, është ashpërsuar së tepërmi. Duhet të jemi të kujdesshëm që paqen ta forcojmë. Duhet një koordinim më i mirë i vendeve të rajonit ndaj Serbisë”, tha ajo.
Në vend të Open Balkan, ministrja Gërvalla foli për procesin e Berlinit.
“Jemi në bisedime për nënshkrimin e marrëveshjeve rajonale dhe besojmë se Shqipëria dhe Kosova me qasjen e hapur për Procesin e Berlinit do të mund të shtyjnë përpara këto marrëveshje”, u shpreh Gërvalla.
Më tej, në agjendën e saj në Tiranë, Gërvalla, e vijoi në selinë blu, ku u prit nga kryetari Lulzim Basha.
Gjatë vizitës së saj në Tiranë, Gërvalla zhvilloi takime edhe me presidentin Ilir Meta dhe kryeparlamentaren Lindita Nikolla, nga të cilët mori mbështetjen për rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve./A2