Site icon Telegrafi

Takimi i Demaçit që zgjati më shumë se një orë me Sekretarin amerikan të Shtetit më 1992, si reagoi ambasadori jugosllav për takimin

Gazetari Elez Biberaj ka ndarë dy intervista që ishin realizuar për Zërin e Amerikës me ish të burgosurin politik, Adem Demaçi.

Përveç intervistave të Demaçit, Biberaj ka treguar edhe një përvojë që kishte pasur me të.

Në fund të muajit prill, të vitit 1990, shtatë ditë pasi ishte liruar nga burgu në kohën e  ish Jugosllavisë, Zëri i Amerikës kishte dërguar korrespondenten amerikane, Laura Sibler në Kosovë për ta intervistuar Demaçin.

“E morëm lajmin që u lirua Adem Demaçi edhe ndërhyra edhe me zyrën e lajmeve, edhe e dërguan menjëherë Laura Sibler… Shtatë ditë pas lirimit tij, Laura Sibler i shkon në banesë edhe e merr një intervistë shumë të gjatë, e kemi dhënë në dy pjesë”, ka thënë Biberaj.

Në intervistën e Demaçit të datës 29.04.1990 që u transmetua në emisionin “Kallxo Përnime”, ai dëgjohet duke i numëruar vitet që i kaloi tre herë në burg.

“Në burg kam qenë tri herë. Në burgun e parë kam qenë nga 1958 deri në 1961. Në burgun e dytë kam qenë nga 1964 deri në 1974. Në burgun e tretë, nga 1975 deri në fund të prillit të 1990. Gjendja në Kosovë, domethënë pas këtyre gati 15 vjetëve, të kësaj rastës së fundit të burgut, shihet se në disa fusha ka ndryshuar, kurse sa i përket njerëzve gjendja ka ndryshuar në mënyrë qenësore. Njerëzit tani janë të vendosur që të jetojnë të lirë… Pavarësisht se sillen tanket e blindat e njësisë speciale para qytetarëve, rreth tyre, rreth shtëpive të tyre, njerëzit janë plotësisht të lirë… ”, kishte thënë Adem Demaçi më 29.04.1990.

Sibler e kishte pyetur Demaçin edhe për gjendjen politike në Kosovë në atë kohë dhe formimin e partive, e Demaçi kishte thënë se janë parti gjysmë legale pasi nuk lejohej legalizimi i tyre nga Serbia dhe se besonte se këto parti e kanë mbështetjen e popullit, pasi siç ishte shprehur ai – populli ishte i etur për demokraci.

“Policia serbe është në gjendje që të kontrollojë natën edhe ditën pa leje, pa autorizime. Është në gjendje t’i lidhë, t’i vrasë, t’i akuzojë, t’i rrahë, t’i torturojë, t’i maltertojë njerëzit… Serbët janë sjellë ndaj shqiptarëve si një njerkë e keqe”, kishte deklaruar Demaçi.

Tutje, Biberaj tregon një përvojë që kishte pasur me Demaçin në fund të vitit 1992, kur kishte përkthyer për të në një takim që kishte zhvilluar me Sekretarin e shtetit, Lawrence Eagleburger, në kohën e presidentit amerikan, Xhorxh Bush.

Demaçi, Sekretarit amerikan Eagleburge ia kishte prezantuar kërkesat e shqiptarëve në atë kohë.

“Kam pas fatin që të jem përkthyes i tij në një takim, në atë kohë me Sekretarin e Shtetit, Lawrence Eagleburger… Demaçi i paraqiti kërkesat e shqiptarëve – Republikë, pavarësi. Demaçi kishte ardhë pak a shumë në përfundim që Republika nuk, megjithëse e përmendke si opsion, por tani fliste për pavarësinë e Kosovës, edhe Eagleburger i tha – ne nuk e mbështesim sot për sot ne nuk e mbështesim kërkesën e Kosovës për pavarësi. Demaçi shumë i qetë i tha – u shumë bukur, kjo do të thotë, ju sot nuk e mbështesni, por nesër mund ta ndryshoni mendimin”, kishte thënë Demaçi.

Ndonëse takimi i Demaçit me Sekretarin amerikan, Eagleburger ishte caktuar për 15 minuta, Biberaj thotë se takimi zgjati më shumë se një orë.

Biberaj vlerëson se ishte e qëllimshme kohëzgjatja e takimit nga Eagleburger, pasi Demaçin e pa të dilte nga zyra e Sekretarit, ambasadori i Jugosllavisë.

“Ai na mbajti ne aty që t’i dërgonte mesazh ambasadorit jugosllav. Edhe kur ambasadori jugosllav e pa Adem Demaçin që doli nga zyra e Sekretarit të shtetit, unë thash po i bjen të fikët dhe po vdes në vend aty”, tha Biberaj.

Demaçi po ashtu kishte dhënë intervistë për Zërin e Amerikës, më 29.03.1999, gjatë kohës së bombardimeve në Kosovë dhe për funeralin e veprimtarit, Bajram Kelmendi e dy djemve të tij, Kushtrimit dhe Kastriotit.

Demaçi, e përshkruan funeralin e Bajram Kelmendit e dy djemve të tij, duke përmendur se ishin grumbulluar një numër i madh i qytetarëve. Ndërkohë përshkruan edhe gjendjen e Kosovës nga regjimi serb.

“Gjërat që dëgjojmë rreth e rrotull, çfarë masakrash bëhen në Gjakovë, Pejë, Ferizaj, Gjilan, Kapanik, Mitrovicë dhe rrethimi i hekurt që i është dhënë Podujevës është rrethimi i tillë i njëjtë i Skenderajt. Luftimet e hatashme me të gjitha armët pa kursim që përdor regjimi serb kundër fshatrave shqiptare, vetëm në rrethin e Podujevës janë rrafshuar me tokë dhe janë bërë hije e pluhur më se 50 fshatra dhe njerëzit kanë mbetur krejtësisht në qiellin e hapur… Shkatërrojnë dyqane, shkatërrojnë shtëpi, kallin monumente sikur Lidhjen e Prizrenit” – e kishte përshkruar Demaçi gjendjen në Kosovë.

Demaçi vdiq më 26.07.2018, në moshën 82-vjeçare.

Adem Demaçi ishte veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e ish-Jugosllavisë dhe ka luftuar për barazinë e Kosovës me republikat e tjera të ish-Jugosllavisë.

Ai është quajtur edhe “Nelson Mandela” i Europës.

Elez Biberaj ka punuar në Zërin e Amerikës për më shumë se katër dekada. Ai filloi si gazetar në muajin dhjetor, 1980 dhe pas gjashtë vitesh udhëhoqi Shërbimin shqip të Zërit të Amerikës deri më 2004.

Pas punës në Shërbimin shqip në Zërin e Amerikës, Biberaj ka qenë drejtor i gjithë Zërit të Amerikës për gjashtë muaj, pastaj ka qenë drejtor i “Zërit të Amerikës” në divizionin e Euro-Azisë që nga viti 2005 deri 2020, duke e bërë atë përgjegjës për programin e “Zërit të Amerikës” për audiencën në Rusi, Ukrainë, Armeni, Gjeorgji dhe Ballkan. /Kallxo.com/

Exit mobile version