Site icon Telegrafi

Bytyqi-Pirani: IFC e interesuar për mbështetje në fushën e energjisë nga burimet e rinovueshme

Zv. kryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi, ka takuar Visar Piranin, zyrtarin e ri të Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC) në kuadër të Grupacionit të Bankës Botërore, përgjegjës për Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, njoftojnë nga shtypi i Qeverisë.

Takimi i sotëm ishte vazhdim i takimit që zëvendëskryeministri Bytyqi pati disa javë më parë në Uashington me përfaqësues të lartë të IFC-së.

Bytyqi shprehu mirënjohjen e tij për interesin e IFC-së për zhvillimin e sektorit privat në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht në fushën e energjisë nga burimet e rinovueshme, por gjithashtu theksoi rëndësinë e afrimit të zinxhirit të prokurimit në kontinentin evropian të quajtur near-shoring, që rezultoi të ishte një kërkesë e madhe veçanërisht në periudhën e Covid-it.

Visar Pirani, nga ana e tij, shprehu gatishmërinë e IFC-së për të diskutuar mbi mënyrat e bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe IFC-së në fushën e realizimit të projekteve që janë me interes për vendin tonë përmes mbështetjes së sektori privat për përmirësimin e furnizimit me energji elektrike dhe qasje më të lehtë në financa.

Pirani informoi zëvendëskryeministrin Bytyqi se në janar të vitit 2024, Banka Botërore do të miratojë strategjinë e re, pas së cilës do të krijohet një pasqyrë e qartë e mundësive për realizimin e investimeve të reja, veçanërisht në fushën e energjisë nga burimet e rinovueshme.

Exit mobile version