Telegrafi

Takim urgjent dhe i mbyllur në Zveçan, shqiptarët bojkotojnë takimin

Ka filluar sot në Zveçan një takim urgjent i përfaqësuesve të katër komunave veriore, me të vetmen pikë të rendit të ditës “situata e përgjithshme politike dhe e sigurisë në veri”, ndërsa, shkas i këtij takimi është projektligji për Trepçën që do të diskutohet sot në Kuvendin e Kosovës.

Takimi po mbahet pa prezencën e mediave, ndërsa, pritet të kundërshtohen vendimet e Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës rreth projektligjii për Trepçën.

Asamblistët shqiptarë të Kuvendit Komunal të veriut të Mitrovicës nuk janë duke marrë pjesë në këtë takim.

Florent Azemi, ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook se anëtarët e Kuvendit Komunal të veriut të Mitrovicës nga PDK-ja, kanë refuzuar kërkesën e këtij Kuvendi për pjesëmarrjen në këtë takim.

Sipas tij, një takim i tillë është joligjor i panevojshëm, dhe një provokim ndaj shtetit të Kosovës dhe vetë përfaqësuesve shqiptarë të veriut.

Postimi i plotë:

“Sot pas konsultimit me kryetarin e deges se PDK- se z. Avni Kastrati dhe me asambleistat e PDK-se te veriut morrem vendim qe te refuzojm kerkesen e Kuvendeve Komunale te kater Komunave veriore per nje takim ne Komunen e Zveqanit ku do te bisedohet per gjendjen politike e te siguris e mbi te gjitha ku pritet te kundershtohen vendimet e Kuvendit dhe te Qeverise se Republikes se Kosoves. Ne e konsiderojm kete takim si jo ligjore dhe te panevojshem njekohesisht edhe si nje provokim politik dhe juridik ndaj Republikes dhe neve si perfaqesus te Shqiptareve te veriut”(sic.)/Telegrafi/